Site icon Telegrafi

Strofulli i gomarëve dhe ujqve

Në një vizitë të cilën pata rast t’ia bëj qytetit të dytë për kah madhësia në Portugali, Portos, u njoha me pjesën e re dhe atë të vjetër të qytetit. Natyrisht, si qytetare e Shkupit më shkoi ndërmend krahasimi mes qytetit në të cilin jetoj dhe Portos.

Edhe pse në Porto nuk pashë ndonjë çudi të përmasave anormale – meqë bëhet fjalë për qytet të cilit ia ka dhuruar Perëndia vegjetacionin e bollshëm, si edhe oqeanin e pafund – një pamje tjetër e cila ushqente kureshtjen e çdo vizitori ishte lumi Duro. Ajo që të bën ta kthesh dashurinë ndaj një gjëje të cilën në qytetin në të cilin jeton as që e vëren, ishte rrjedha e natyrshme e lumit nëpër tërë qytetin. Ishte rrjedhë e gjerë me një shtrat mjaft të fuqishëm dhe me shumë ujë. Mjaft mbresëlënëse ishin shëtitoret shumë të thjeshta përreth brigjeve të lumit, të cilat të grishnin për të shëtitur nëpër to dhe për të shijuar rrezet e diellit të këndshme për fundin e shkurtit edhe fillimin e marsit.

Pamjet shumë të këndshme ishin lokalet me një fizionomi të përditshme arkitekturale nëpër shëtitore, lokale këto të cilat ishin shumë të ngjashme njëra me tjetrën, si dhe pronarët që ishin solidarë që të tërheqin numër të përafërt të vizituesve.

Dua ta theksoj mikpritjen dhe bujarinë e jashtëzakonshme të portugezëve në kohën që kishte mprehur dhëmbët mbi popullatën e pafajshme. Këto veti kurorëzonin bukurinë e qytetit.

Ajo që me së shumti e shqetësoi këndshëm mendjen time ishte kalldrëmi në formë të katrorëve, të vegjël të cilët ishin atraksioni kryesor në pjesën e vjetër të qytetit, po edhe në atë të renë. Natyrisht, pyetja ime të cilën iu parashtrova disa profesorëve të Universitetit shtetëror të Portos kishte të bënte me punuesit e këtij makadami. Përgjigja më erdhi rrufeshëm e befasishme kur më thanë: ”Ato janë prodhim i mjeshtërve shqiptarë, të cilët i bëjnë për mrekulli katrorët”.

Sa u ndjeva inferiore në atë moment, meqë edhe pse kam menduar se kam një dituri modeste të historisë time kombëtare, nuk kisha komente për këto gjëra. Por ja, për fat të keq historianë të mirëfilltë ne nuk kemi, meqë askund nuk mund të gjeja sqarim për këtë fakt për mua madhështor, të cilin disi u mundova ta arsyetoj me logjikën time. Ata historianë të “mirëfilltë” janë ata të cilët si papagajtë e mërzitshëm lartësojnë dhe glorifikojnë atë që u quajt konflikt i viti 2001 dhe kështu dekorohen e fitojnë ndonjë honorar nga fytyrat të cilat as vet – nënkuptohet, përveç parave të majme të cilat i fituan në kurriz të luftës dhe të dëshmorëve – nuk dinë se çka ndodhi.

Lajmi i parë i parë kur u ktheva në shtëpi ishte tejet tronditës: vrasja e dy shqiptarëve në Gostivar. Pastaj pasoi mulliri i prishur për të cilin janë mjeshtër të paparë këta “të legjitimuarit nga populli”, duke lëshuar tehe vdekjeprurëse për rrahjen e fëmijëve shqiptarë. Këto më nuk janë veprime të imagjinatave eksperimentuese mbi shqiptarët, por veprime aktive të cilat vetëm ndonjë gjuhë e panjohur për racion e trurit ndoshta do të mund t’i shpjegonte; gjëra të cilat vetëm të ngrenë tensionin dhe urrejtjen dhe pastaj klithjet infantile të tipit “aman mos i jepni karakter ndëretnik gjithë kësaj”, kinse për tu qetësuar shpirtrat.

A ka më ndonjë shpirt i cili nuk është i shqetësuar në këto momente. Fantom shteti, me fantom gjuhe, me fantom emër e nuk e di më se me çka fantom tjetër, torturojnë indin e popullit tim, ind ky i cili as vet nuk është i vetëdijshëm sa është i vjetër dhe sa shumë peshon.

Po të pyeste dikush si të karakterizohet ky konglomerat i vetëquajtur “shqiptarë në qeverinë e FYROM-it”, kujtoj se përgjigja adekuate do të kishte qenë se këta janë tipa të cilët erdhën në qeveri me luftë ku kishte mjaft viktima (shumë prej tyre duke pas ideal të drejtat e popullit të vet), dhe tipa të cilët rrinë në Qeveri pa luftë, por prapë me shumë viktima (shumë prej tyre duke pas ideal jetën normale).

Sot, në shumë shoqëri të civilizuara, të rrënuarit e një qeverie nëpërmjet luftës, quhet akt jomoral dhe anti-shoqëror, nëse nuk i përmbushin detyrat e parashtruara të cilat shërbejnë për pikënisje luftës. Dhe, prej momentit kur u paraqitën këta tipa në jetën e shqiptarëve të FYROM-it, akrepat e orës u ndalën çuditshëm në fjalën mëkat.

Intensiteti i manipulimit të tyre me njerëzit e kombit të vet, me gjuhën e gënjeshtrës, me mjeshtëri të plotë e shlyen natyrën racionale të perceptimit. Tangjenti i konfuzionit të cilin ata në çdo moment e shkaktojnë, shumëfishon krimin. Krimi është bërë aq derivativ sa që të përkujton ujkun me tërë trupin dhe gojën e përgjakur i cili admiron gjakun me të cilin është lyer dhe nuk ka gjasë të kthehet me ujqit tjerë – apo nja dy-tri ujkonja – në strofullin e tij. I duket këtij ujku të përgjakurit gjë e lehtë, meqë vetëm kështu mund të glorifikohet.

Dhe, të marrët i kënaq koncepti i triumfit i shkaktuar nga përgjakja. Mu këta të cilët janë kope gomarësh vazhdimisht i shushuritin njëri tjetrit në vesh – i frikësohemi të vërtetës, sepse do të dalë në shesh edhe gënjeshtra jonë: a thua cila është më e madhja? Kështu, pëshpëritjet e tyre kontaminojnë mendjen e njeriut edhe aty ku më së paku të shkon mendja, meqë veç i kanë eksploatuar ata të cilët moti kanë shikuar mirë, e tani ju janë ngjitur të verbërve. Ky është projekti jetësor i mendjes së tyre.

Shqiptarë, kopetë e ujqve, të shoqëruar nga kopetë e gomarëve, ju dhanë robëri të shumëfishtë dhe tani janë duke shijuar gjakun e sakrificave të juaja.

Prandaj, kah jeni nisur ju zotërinj dyert janë të mbyllura. I mbyllni ju prej pozicionit të kolltukëve për t’i rrahur ende shqiptarët. A është kjo hyrje se ju jeni nosferatu, shpirtra të cilët e merrni formën e njeriut vetëm kur doni të thithni gjak njeriu. Shkatërruat gjenerata dhe për shkakun tuaj dështuan gjenerata të tëra të cilat ia dhanë atë komoditet vetes për të shikuar kah fiksimi i juaj antikombëtar. U shkatërruan dhe dështuan gjenerata të cilat i ndoqën vibracionet lëvizëse prej një skaji në skajin tjetër si topa pingpongu duke u hedhur pamëshirshëm në botën e palëvizshme të shtrofullave të ujqve dhe gomarëve.

 

Exit mobile version