Aleanca jo formale e shoqërisë civile dhe grupet e grave asambliste të komunës së Prizrenit, Suharekës, Dragashit dhe Mamushës, i ka bërë thirrje institucioneve lokale që urgjentisht të gjejnë mënyra për të siguruar një fond emergjent për Strehimoren e Prizrenit, në mënyrë që të ofrohen shërbimet e duhura për periudhën tremujore, gjersa të gjejnë mënyrën për krijimin e një mekanizmi të financimit të qëndrueshëm.
Strehimorja i shërben rajonit të Prizrenit, përfshirë komunën e Prizrenit, Suharekës, Dragashit dhe të Mamushës. Nga të gjitha komunat, organet e drejtësisë i referojnë dhe i sjellin gratë, vajzat dhe fëmijët viktima të dhunës familjare për të marrë shërbimet e duhura, që shkojnë deri në 6 muaj.
“Shërbimet e tilla varen kryekëput nga financimi i qendrës së strehimores. Financimi deri vonë ka qenë nga tri burime: donatorët, MPMS dhe KK. Viteve të fundit donatorët janë tërhequr, duke ia lënë qëndrueshmërinë financiare në dorë organeve të qeverisjes lokale dhe qendrore. Këto dy të fundit deri më sot kanë përkrahur Strehimoren jo mjaftueshëm, përmes projekteve, dhe jo përmes një mekanizmi institucional që siguron qëndrueshmëri financiare”, thuhet në njoftim.
“Kjo përkrahje e pa mjaftuar financiare nga institucionet lokale dhe qendrore kanë sfiduar veprimtarinë e Strehimores me: 1) racionalizim të ofrimit të shujtave ditore, të veshmbathjes, barërave dhe materialeve të tjera për gratë, vajzat dhe fëmijët viktima të dhunës; 2) detyrimi i personelit kompetent dhe profesional që të përfshihen edhe në punë vullnetare për të ofruar shërbimet kompetente profesionale; dhe 3) rehabilitimin infrastrukturor dhe ligjor të objektit të Strehimore s. Fundi i vitit 2019 e ka lënë Strehimoren pa përkrahje financiare, duke u rrezikuar që të mbyllet. Përmes kësaj shkrese, aleanca jo formale e shoqërisë civile dhe grupet e grave asambliste të komunës së Prizrenit, Suharekës, Dragashit dhe Mamushës, shprehim revoltën me gjendjen jo të mirë të Strehimores, dhe thërrasim institucionet lokale nga komunat e rajonit të Prizrenit, që të respektojnë dhe realizojnë të drejtën themelore të njeriut, atë të ofrimit të përkrahjes të grave, vajzave dhe fëmijëve viktima të dhunës familjare. Institucionet lokale urgjentisht duhet të gjejnë mënyra për të siguruar një fond emergjent për Strehimoren ashtu që të ofrohen shërbimet e duhura për periudhën tremujore, gjersa të vazhdojë të gjejë mënyrat për krijimin e një mekanizmi të financimit të qëndrueshëm për Strehimoren”, thuhet ndër të tjera në komunikatë. /Telegrafi/