Site icon Telegrafi

Strehimorja e themeluesit të “Wikileaks” si bunkeri i James Bondit

Fajlat e Wikileaks ruhen në serverët e qendrës kompjuterike Pionen, e cila i takon provajderit “Bahnhof AB” dhe është e vendosur në bunkerin e nëndheshëm në Stockholm.

Bunkeri i përket periudhës së Luftës së Ftohtë që ka shërbyer si strehimore atomike dhe edhe sot mund t’i rezistojë goditjes direkt të bombës me hidrogjen. Gjendet 30 metra nën tokë, në shpellën e malit prej graniti para parkut Vitabergh. Furnizimi rezervë me energji elektrike sigurohet nëpërmjet dy dizel-motorëve “Maybach MTU” – të cilët janë identik me motorët e nëndetëseve të NATO-s, me fuqi 1.5 megavat.

Dyert e hyrjes janë të trasha 40 centimetra. Bunkeri është rinovuar më 2008 sipas projektit futuristik të shtëpisë suedeze projektuese “Albert France-Lanord Architects”.

Shtrihet në një sipërfaqe prej 1.200 metra katrorë, përbëhet prej një korridori dhe katër hapësirave të mëdha, ku janë vendosur serverët. Atmosferën futuristike e zbusin pak ujëvarat artificiale, shumë bimë, të cilat mbijetojnë falë dritave të forta solare dhe një akuarium me përmasa 2.600 litra ujë.

Dyshemeja në sallën e konferencave është punuar në atë mënyrë për tu dukur sikur shkel mbi sipërfaqen e Hënës. Mediat shkruajnë se arkitektët kanë qenë të inspiruar nga filmi “Moonraker” i vitit 1979, ku armiku kryesorë i James Bondit është personazhi negativ Hugo Drax. /Telegrafi
 

Exit mobile version