Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, ka thënë parimisht se mund të marrë parasysh edhe Shqipërinë, si vend për të sjellë palestinezët e zhvendosur nga Rripi i Gazës.
Deklarata u bë pas një takimi me mbretin Abdullah të Jordanisë, të cilin e bindi të marrë rreth 2 mijë fëmijë nga Gaza. Trump u pyet nga gazetarët nëse Shqipëria dhe Indonezia janë dy vende të tjera, përveç Egjiptit dhe Jordanisë ku mund të zhvendosen palestinezët dhe ai pohoi menjëherë.
Në përgjigjen e tij, Trump shtoi se liderët e këtyre vendeve janë njerëz me zemër të madhe dhe se kanë kërkuar vetë të marrin palestinezë.
Gazetarja: A do t’i konsideronit edhe vende të tjera, jo Jordania apo Egjipti, janë përfolur Indonezia, Shqipëria pra vende të tjera?
Trump: Po, patjetër. Kemi vende të tjera që duan të përfshihen. Kemi shumë njerëz që duan të përfshihen. Ka një mirëkuptim të madh për t’i ndihmuar palestinezët. Ka vende të mira atje, njerëz me zemër të madhe dhe ky zotëria këtu (mbreti Abdullah) është në krye të listës.
Deklarata e Trump bie në kundërshtim me qëndrimin që ka mbajtur kryeministri Edi Rama dy javë më parë. Kur një gazetar izraelit, i quajtur Amit Segal publikoi informacionin se Shqipëria ishte një nga vendet ku do të zhvendoseshin palestinezët, kryeministri Rama e përgënjeshtroi menjëherë. /Telegrafi/