Site icon Telegrafi

Strehimi afganëve, senatori amerikan: Populli i Shqipërisë po i tregon botës se çfarë do të thotë “BESA”’

Kreu i Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, senatori Robert Menendez ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për të mirëpritur përkohësisht qytetarë afganë.

Ai në një postim në Twitter shkruan se edhe një herë populli shqiptar është duke i treguar botës se çdo të thotë “besa”.

“Unë mirëpres vendimin e qeverisë shqiptare për t’u dhënë një strehë të përkohshme dhe të sigurt atyre që ikin nga sulmet e talebanëve në Afganistan. Populli i Shqipërisë i tregoi edhe një herë botës se çfarë do të thotë ‘BESA’. Ju keni respektin dhe falënderimet tona”, thuhet në postimin e publikuar në Twitter, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, kryeministri Edi Rama duke komentuar lajmi se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të sjellin përkohësisht në Shqipëri e në Kosovë qindra afgan, ka thënë sot se kjo kërkesë të aleatëve është bërë me kërkesën e vetë Shqipërisë.

Lexo po ashtu ​Strehimi i afganëve në Shqipëri, Rama: Numrin më të madh të tyre e kërkuam ne

Ai duke dhënë detaje ka thënë se pjesën e madhe të afganëve në rrezik për jetën të mbetur në mëshirë të fatit e kërkoi qeveria e tij.

“Përtej moralit në vetvete të kësaj fabule njerëzore, ca shqipo mendjefikur e harrojnë se ne jemi kaherë aleatë të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm kur na duhen për hallet tona, siç na u deshën bombat e tyre për t’u mbrojtur nga spastrimi etnik i Sllobodan Millosheviqit; siç na u desh zëri i tyre i superfuqishëm për ta hapur rrugën e pavarësisë së Kosovës apo për ta anëtarësuar Shqipërinë në NATO; siç na duhet gjithnjë mbështetja e tyre për të forcuar pozitat tona kombëtare e shtetërore, po edhe kur ne u duhemi atyre ndonjëherë, jo për t’i shpëtuar ata siç ata na kanë shpëtuar ne në kthesa historike, por për t’u gjendur në krah të tyre kur edhe ata, ja që ndodh, kanë nevojë për diçka të vogël prej nesh”, ka shkruar Rama në Facebook, përcjell Telegrafi.

Ai ka shtuar se nuk e di nëse amerikanët i kanë kërkuar edhe Kosovës të strehojë afganët që u ekspozuan si miq dhe mbështetës të ushtrive aleate.

“Uroj që në rast se po, Qeveria e Kosovës të përgjigjet pozitivisht, për nderin e saj e të Kosovës sigurisht”, ka shkruar ai.

Rama tha po ashtu se gjatë samitit të NATO-s ai kishte ngritur çështjen e mbrojtjes së afganëve që kanë punuar me forcat ndërkombëtare. /Telegrafi/

Exit mobile version