Site icon Telegrafi

Streetballi në Prizren te Parku Natyra

Artan Kurti me ekip, Qëndrim Biraj me shokë, Pjetër Doda e Drtiton Sallauka me bashkëlojtarët e FSPK, Altin Sahiti me kompani, Altin Morina me skuadër, Albatrit Berisha dhe Amir Gashi me ekipin e tyre Amigat, shumë ish-basketbollistë dhe ata që janë ende aktiv, kanë paralajmëruar se të dielën do të zbresin në Parkun Natyra në Prizren, ku do të jenë pjesë e turneut kualifikues të Limak Streetball Kosova 2014.

Pas një periudhe tri vjeçare, një numër kaq i madh i ish-basketbollistëve por edhe basketbollistëve aktiv dhe atyre që për rekreacion luajnë basket “3 kundër 3” kanë paralajmëruar se do të tubohen në një vend për të matur forcat dhe për të kaluar një të diele të bukur duke u shoqëruar me ‘muzikë, diell dhe kënaqësi streetballi’.

Altin Sahiti, ish basketbollisti i Bashkimit të Prizrenit dhe pjesëmarrësi i rregullt i garave të Streetball Kosova që nga viti 2008, i cili kishte luajtur edhe në turneun e Prishtinës vikendin e kaluar, ka paralajmëruar se ekziston një interesim i madh i ekipeve për të marr pjesë në turneun e dytë të pranuar zyrtarisht nga FIBA 3×3 (FIBA Endorsed) sivjet të quajtur Limak Streetball Kosova 2014 në Prizren:

“Ndryshimet pozitive të bëra në sistemin e garave por edhe fakti që kampioni i sivjetmë shkon direkt në superfinalen e vitit të ardhshëm e cila do të zhvillohet pikërisht këtu tek ne në Prizren, si dhe fakti që kampioni i Limak Streetball Kosova 2014 do ta prezantojë vendin tonë në garat ndërkombëtare të FIBA 3×3 Basketball vitin e ardhshëm, ka ndikuar që të rritet shumë interesimi për të luajtur streteball. Temë kryesor e bisedave tona këto dy-tri ditët e fundit është pikërisht streetballi dhe mezi po e presim të dielën. Shumë ish-bashkëlojtarë të mi nga Bashkimi por edhe lojtarë aktiv më kanë thënë se do të vijnë të dielën për të më mposhtur… ha ha ha ! Por, unë e kam një porosi për të gjithë: me rëndësi është të kënaqemi ! Në radhë të parë për mua është të kalojë kohë të bukur sepse kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme gjatë të cilës ne lojtarët dhe publiku, vijmë për ta shijuar frymën e, si thotë Agon Fehmiu, ‘muzikë, diell dhe kënaqësi streetballi’”, ka thënë Sahiti.

Më tej, Sahiti deklaroi se interesimi i shtuar i ish-basketbollistëve dhe lojtarëve aktiv prizrenas por edhe atyre nga Theranda, ka ndikuar që në qytetin ku lindi basketbolli kosovar të kthehet shpirti dhe fryma për këtë sport magjik. Kjo sipas Sahitit ka ndikuar edhe tek qytetarët e gjitha moshave që kanë paralajmëruar tubimin në Parkun Natyra.

Ky ambient fantastik dhe fusha në të cilën tradicionalisht, nga viti 2008, janë zhvilluar të gjitha turnetë e streetballit kosovar, të dielën do të jetë vendtakim i yjeve të dikurshme dhe të tashme të basketbollit prizrenas, si dhe dashamirëve të basketit që do të planifikojnë të kalojnë një ditë të bukur dhe relaksuese.

Festivali i streetballit në Prizren do të fillojë me regjistrimet e ekipeve nga ora 12 deri në orën 12:45 kur edhe do të hedhet shorti për ndarjen e ekipeve në grupet e fazës së parë të turneut Limak Streetball Kosova 2014 në Prizren, ndërsa ndeshja e parë do të fillojë nga ora 13:00. /KP/Telegrafi/ 

Exit mobile version