Telegrafi

Streetball Kosova kthehet me 5 fitore nga Praga

Basketbollistët kosovar, të udhëhequr nga Florian Miftari, janë përballur me ekipe nga vende të ndryshme të Evropës, si Çekia, Sllovakia, Polonia, Hungaria, Rumunia, Letonia dhe kanë arritur një sukses të papritur duke mposhtur të gjitha ekipet e huaja në këtë organizim.

“Ishte një organizim i mrekullueshëm i Streetball-it në Pragë, me ekipe shumë të forta në garë për vendin e parë. Ne arritëm sukses të madh edhe pse fati nuk ishte në anën tonë sa i përket shortit dhe lëndimit që pësoi lojtari ynë Arsim Svirca mu në lojën e parë”, ka thënë Miftari për mediat kosovare pas arritjes në Prishtinë.

“Po ashtu, mu në lojën e parë na u desh të përballemi me ish kampionin e këtij manifestimi, një ekip i fortë dhe komplet, të cilët në fund edhe triumfuam në streetballin e sivjetmë. Falënderoj organizatorin Pëllumb Bajçinovci nga Streetball Kosova, i cili na mundësoi një pjesëmarrje në këtë manifestim”, ka shtuar më tej Miftari.

Ekipi kosovar ishte i përbërë nga Florian Miftari, Fatos Bajçinovci, Flamur Bajraktari dhe Arsim Svirca.