Telegrafi

Strati në librin Guiness mahnit botën e artit

Mozaiku në fjalë është i përbërë prej 229,764 tapave, të një dimensioni prej 13 dhe 7 metrash. Para dy vitesh, ai kishte krijuar një mozaik me portretin e Leonardo Da Vinçit me gozhda.

Përndryshe, Samir Strati, 42-vjeçar, ka arritur të mbledhë 229,764 tapa me ngjyra dhe formë të ndryshme, duke i vendosur në një pano plastike prej 12,29 metrash gjerësi dhe 7,1 metër gjatësi, për ta krijuar mozaikun e titulluar “Satisfaksioni i Romeos në një remë rrushi duke lozur me kitarë dhe duke vallëzuar me detin dhe diellin”.

Mozaiku u përfundua të enjten e kaluar dhe për të Strati punoi 28 ditë nga 14 orë në ditë pandërprerë. I njëjti u vlerësua si më i madhi në botë nga arbitri i Librit të rekordeve të Guiness-it, Carlos Martinez.

“Ky mozaik i dedikohet klimës mesdhetare e cila është përplot me muzikë, venë dhe diell”, kishte deklaruar Strati, gjatë një solemniteti, mbrëmjen e së enjtes në Tiranë.

Për herë të parë, Samir Strati kishte hyrë në Librin e Guiness-it në shtator të vitit 2006, duke krijuar portretin e Leonardo Da Vinçit me më tepër se 500,000 gozhda. Në shtator të vitit 2007, ai gjithashtu krijoi portretin e arkitektit spanjoll Antonio Gaudi. /ina/