Telegrafi

Stratfor: Rusia dëshiron të rrisë ndikimin në Ballkan

Kompania amerikane e inteligjencës Stratfor (Strategic Forecast), ka paralajmëruar se Rusia ka kthyer fokusin në Ballkan dhe se dëshiron të rrisë ndikimin në rajon duke shfrytëzuar tensionet në shtetet e Ballkanit.

Stratfor në faqen e saj zyrtare ka publikuar një analizë me titullin “Rusia ngacmon folenë e grerëzave”, në të cilën ka parashikuar se Rusia do të vazhdojë të përpiqet t’i shfrytëzojë përçarjet në Ballkanin Perëndimor, i cili sipas analizës, ka qenë tradicionalisht teatër i matjes së forcave për shumë fuqi botërore dhe se influenca e Rusisë do të vazhdojë të përhapet në vendet më ndjeshme të Ballkanit, përfshirë veriun e Kosovës, Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Sipas Stratfor, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik la Rusinë pa pjesën e saj në tranzicionin e shteteve të ish-Jugosllavisë, ndërsa Perëndimi ka dominuar marrëdhëniet ekonomike dhe të sigurisë të shteteve të Ballkanit që atëherë. Megjithatë, siç thuhet në analizë, Rusia ka kthyer sërish fokusin në rajon.

“Megjithatë, Rusia ende ruajti pikëmbështetjen e saj në Ballkan. Dhe sot, teksa ndarjet në Bashkimin Evropian thellohen dhe pasiguria mbizotëron brenda NATO-s, Moska ka kthyer fokusin e saj në rajon edhe një herë. Stabiliteti i Ballkanit ka qenë temë e nxehtë në takimet e presidentit rus Vladimir Putin me Këshillin e Sigurimit të Kremlinit këtë vit. Incidentet e ndërhyrjes së Rusisë në Ballkan kanë qenë në rritje, duke ngritur pyetjen në lidhje me atë nëse rajoni do të jetë teatri i ardhshëm në luftën e vazhdueshme të Moskës kundër fuqisë dhe unitetit perëndimor. Pas të gjitha, nxitja e tensioneve në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni, i ofrojnë qeverisë ruse mjet të përshtatshëm për të rritur ndikimin dhe për të shpërqendruar më tej Perëndimin”, theksohet në analizën e Stratfor.

Ndërkaq, duke u ndalur në krizën politike në Maqedoni dhe protestat kundër deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, Stratfor shkruan se Rusia po ushqen turbulencat duke pretenduar se Perëndimi po mbështet thirrjet për “themelimin e Shqipërisë së Madhe”.

 

Më tej në analizën e saj, Stratfor thekson se nëse marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë do të tensionoheshin tutje, atëherë Rusia do ta shfrytëzonte këtë për të “inxhinieruar” një krizë të plotë në të ardhmen.