Ka një kohë që mësuam më në fund për një plan për integrimin e pjesës veriore të Kosovës dhe ky plan u quajt strategjia për veriun. Kishim dilema nëse ky plan ishte utopia e radhës apo një plan i cili vërtetë do të sjellë rezultatin e dëshirueshëm. Zhvillimet e fundit janë inkurajuese në këtë aspekt meqë duket se gjërat po shkojnë në drejtim të duhur. Ky plan apo strategji duket se do të ketë sukses, natyrisht nëse do të zbatohen hapat e duhur.
Shtrohet pyetja se cila është në të vërtetë situata rreth veriut të Kosovës? Të gjithë e dimë se është mjaft komplekse ashtu siç është në përgjithësi rasti i Kosovës. Qysh me hyrjen e KFOR-it në Kosovë kishim një ndarje të veriut, vendosjen e telave me gjemba në urën e Ibrit dhe pamundësinë e shqiptarëve që te kthehen në shtëpitë e tyre. Ishin këto veprime që pamundësuan që ajo pjesë të jetë nën kontrollin e institucioneve të Kosovës. Duhet pranuar faktin se ishin edhe disa veprime tonat që bënë koncentrimin e serbëve në atë pjesë të Kosovës. Pra ne me vetëdije apo jo i ndihmuam procesit të daljes nga kontrolli të veriut. Jo rastësisht z. Ahtisari pat thënë se “me sjelljen e vet Serbia e humbi Kosovën ndërsa me sjelljen e tyre shqiptarët do të kenë pavarësi të mbikëqyrur”.
Tani po thuhet se veriun e kontrollon Serbia. Në fakt përshkrimi më i saktë për veriun do të ishte se po lejohet që ta kontrollojë Serbia. Realisht nuk ekziston ndonjë territor në botë i cili mund të kontrollohet nëse në atë territor nuk ke organe të tilla detyruese si ushtria dhe policia. Serbia nuk ka dhe nuk mund të ketë as ushtri e as polici në cilëndo pjesë të Kosovës dhe kjo thuhet qartë në rezolutën 1244 pika 9 e saj. Në po këtë pikë të rezolutës thuhet qartë se prezenca ushtarake (NATO) e ka për detyrë që të vendosë paqen dhe sigurinë dhe të pengojë kthimin e forcave ushtarako policore serbe në Kosovë. Pra deri sa është në fuqi kjo rezolutë, Serbia nuk guxon ta ketë në Kosovë as edhe një ushtar apo polic pa lejen e NATO-s. Në të kundërtën Serbia duhet të konfrontohet me NATO-n. Në kushte të tilla veriu i Kosovës në fakt është në një situatë të pazakontë ku shteti që pretendohet se kontrollon atë territor (Serbia) nuk i ka organet detyruese aty dhe as që mund t’i ketë e në anën tjetër shteti i Kosovës nuk ka kontroll efektiv ne të njëjtin territor.
Çështja tjetër është nëse Beogradi mund të ketë ndonjë funksion në Kosovë apo strukturat paralele mund të ekzistojnë si të tilla në Kosovë. Natyrisht që jo dhe atë jo vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës që deri tani njihet nga 65 vende të OKB-së por edhe të rezolutës 1244 e cila në asnjë pjesë të saj nuk parasheh institucione të Serbisë në Kosovë. Kjo rezolutë në fakt e parasheh prezencën civile ndërkombëtare e cila duhet të transferojë funksionet dhe kompetencat në institucionet e Kosovës dhe jo të Serbisë. Prandaj çfarëdo prezence e Serbisë në territorin e Kosovës është jolegale qoftë sipas Kushtetutës së Kosovës qoftë në bazë të rezolutës 1244.
Po kush është i interesuar për ndarjen e veriut e kush për mbetjen e atij territori në Kosovë? Natyrisht që shteti i Kosovës është i interesuar që ta mbajë pjesën që i takon. Bashkësia ndërkombëtare gjithsesi që është e interesuar që veriu të mbetet pjesë e Kosovës për shkak se ndonjë ndarje e mundshme do hapte kutinë e Pandorës në Ballkan e më gjerë. Po edhe serbët që jetojnë në pjesën tjetër të Kosovës prej veriut janë vendosmërisht pro mbetjes së veriut si pjesë e Kosovës. Të vetmit që duan që veriu të jetë pjesë e Serbisë janë Serbia dhe serbët e veriut.
Cili është në fakt interesi apo interesat e Serbisë për veriun? Mund të jenë të shumta por ndoshta më i rëndësishmi është vet opinioni në Serbi i cili duket se është i prirë që të pranojë pavarësinë e Kosovës në rast të mbetjes së veriut të Kosovës si pjesë e Serbisë. Në fakt edhe procesi i Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) e ka pikërisht këtë qëllim pra shpresën e Serbisë që të ketë negociata të reja. Këto negociata do ishin jo për statusin se ai tashmë dihet por për një pajtim me dhënien e veriut Serbisë në shkëmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vet Serbia. Pra Serbia e di shumë mirë se çështja e pavarësisë së Kosovës është e përfunduar prandaj ka apetite territoriale për të gëlltitur disi humbjen e Kosovës.
Në dritën e këtij fakti, Serbia do të bëjë çmos për të minuar çdo përpjekje për integrim të veriut në institucionet e Kosovës. Duke pasur parasysh edhe vet pozitën gjeografike me Serbinë dhe koncentrimin e madh të serbëve në veri e kuptojmë nivelin e vështirësisë për integrim të asaj pjese. Prandaj Serbia do të vazhdojë të përkrahë strukturat paralele në veri edhe më tutje duke e zvogëluar atë përkrahje në masën që do të ketë presion nga bashkësia ndërkombëtare.
Roli i faktorit ndërkombëtar në implementimin e strategjisë për veriun është i jashtëzakonshëm. Në vizitën e tij më 18 Shkurt në Prishtinë, komandanti i krahut jugor të NATO-s admirali Fitzgerald tha se nuk do të lejohen veprime të dhunshme në veri nga strukturat paralele dhe që “KFOR-i do të reagojë, nëse këto struktura kthehen në të dhunshme”. Kjo ishte porosi e qartë në radhë të parë për serbët se veprimet e tyre të dhunshme si ato pas shpalljes së pavarësisë nuk do të tolerohen. Edhe stërvitjet e KFOR-it amerikan në veri e kanë po atë mesazh. Në anën tjetër kemi pozitën delikate te EULEX-it i cili ka një mandat neutral në aspektin formal por që praktikisht ndihmon implementimin e pakos së Ahtisarit.
Një qasje e tillë e EULEX-it duhet mirëkuptuar deri në shpalljen e opinionit të GJND-së i cili konsiderohet si një pikë kthese për shumë procese në Kosovë. Pas këtij procesi mund dhe do të priten hapa shumë më të vendosur për integrimin e veriut edhe nga Eulex-i. Ndërkaq faktori që mund të bëjë më së shumti në zhbërjen e strukturave paralele është BE e cila për momentin është e ndarë por me kalimin e kohës do të ketë një qëndrim gjithnjë e më e vendosur duke bërë presion mbi Beogradin për shuarjen e atyre strukturave.
Roli i faktorit vendor është krucial në këtë proces. Opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile bën mirë që bën presion në faktorin vendor dhe atë ndërkombëtar për opsione të ndryshme për integrim të veriut por duhet kuptuar se në këtë faze opsioni i vetëm mbetet plani aktual paqësor. Për këtë në fakt e kemi një ”recetë” të mirë me zgjedhjet e fundit. Janë pikërisht organet e reja të dala nga zgjedhjet në komunat me shumicë serbe që do të bëjnë shuarjen e heshtur të strukturave paralele. A nuk ishte kryetari legal i Shtërpcës ai që përzuri strukturat paralele të Serbisë nga zyrat komunale? U bë pa dhunë dhe pa bujë. Kjo ndodh sepse serbët që jetojnë aty e kuptuan se nuk mund të vazhdojnë me institucionet e tyre virtuale por u duhen njerëz që ua zgjidhin problemet. Ndërkohë ajo që kërkohet më së shumti nga institucionet e Kosovës e që e kanë në dorë ta bëjnë sa i përket veriut është lufta e pakompromis ndaj kontrabandës atje. Vazhdimi i ndërtimit të shtëpive shqiptarëve dhe kthimi i tyre në veri është po ashtu ndihmesë e madhe në zbatimin e strategjisë.
A mundet që skenari i Shtërpcës të përsëritet edhe në veri? Me siguri që po por duhet të jemi koshient se një proces i tillë do të zgjasë shumë më gjatë. Presioni i Serbisë në veri do të jetë shumë më i madh dhe strukturat paralele në veri janë shumë më të organizuara. Jo rastësisht edhe strukturat udhëheqëse të së ashtuquajturës ministri për Kosovë të Serbisë janë nga veriu i Kosovës. Veprimet tona në këtë aspekt duhet të përqendrohen në gjetjen e elementit bashkëpunues në veri të cilët do të ndihmojnë zhvillimin e zgjedhjeve atje. Duket se afatet e para të strategjisë ishin paksa ambicioze në lidhje me zgjedhjet në veri prandaj duhet pritur që hapa më konkret do të zhvillohen pas opinionit të GJND-së.
Përse përjashtohet forca në implementimin e kësaj strategjie? Duket absurde një qasje e tillë por le të kujtojmë edhe njëherë rastin e Shtërpcës dhe e kemi më të qartë. Janë dy momente kruciale që do të ndikojnë dukshëm në favor të integrimit e i pari ka të bëjë me opinionin e GJND-së ndërsa i dyti vendosja e doganave në portat 1 dhe 31. Janë edhe faktorë të tjerë si për shembull rritja në vazhdim e pakënaqësisë në Serbi për shkak se po paguhen nga buxheti i Serbisë njerëz që nuk punojnë asgjë. Pra opinioni i GJND-së i cili pritet që të jetë së paku neutral për ligjshmërinë e pavarësisë, vendosja e doganave në pikat 1 dhe 31 dhe ndalja e financimit nga Serbia dukshëm do të ndikojë në qëndrimin e serbëve në veri se nuk mund të vazhdohet me iluzione por duhet kthyer jetës reale.
Një çështje tjetër që na mundon shpesh është se ”në veri është krijuar një realitet” cili vështirë mund të zhbëhet. Por kur ka qenë ndryshe në veri që qenka krijuar ai realitet? Pastaj vet realitetet nuk janë të njëjta sepse veriu i Kosovës është një realitet që mund të ndërrohet si në çdo territor të ndonjë shteti demokratik. Pra me krijimin e kushteve ashtu si serbët e tjerë në Kosovë edhe ata të veriut do të pranojnë realitetin se janë pjesë e Kosovës.
Është e qartë pra se problemi i pjesës veriore të Kosovës është jashtëzakonisht kompleks prandaj edhe kërkon hapa të kujdesshëm. Ky problem nuk mund të zgjidhet assesi me qasje emocionale e deklarata pa mbulesë por me pragmatizëm dhe me arsye. Ky problem kërkon veprime të mençura sinergjike (ndërvepruese) ndërmjet të gjithë aktorëve për normalizimin përfundimtar të gjendjes atje. Kjo nënkupton një ofertë të mirë për qeverisje lokale për serbët dhe njëkohësisht presion të vazhdueshëm nga BE tek Beogradi që të mos përkrahë strukturat paralele.
BE e ndihmon Serbinë me 200 milion Euro në vit sipas vet zyrtarëve të BE-së. Në këto kushte BE mund t’i thotë Serbisë se nuk mund t’i japë asaj ndihma pa kufi kur kjo e fundit financon struktura që janë në kundërshtim të plotë me misionin e BE-së. Kjo gjendje paradoksale nuk mund të vazhdojë pakufi. KFOR-i si komponentë ushtarake ka rol vendimtar në pamundësimin e kriminelëve që të përsërisin veprimet si ato me djegien e doganave. KFOR-i po ashtu e ka për obligim sipas mandatit që ka të mundësojë lëvizje të lirë misioneve ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës.
Është e qartë pra se veriu i Kosovës gjithsesi që do të mbetet pjesë e Kosovës nëse të gjithë aktorët e strategjisë do t’i kryejnë detyrat e veta. Ajo që është më e rëndësishme janë veprimet që do të ndërmerren dhe këmbëngulësia në vazhdimin e tyre. Ky vit apo më saktë fundi i këtij viti do të jetë indikator i suksesit. Nëse në fund të vitit do të kemi struktura paralele të dobësuara, prani më të madhe të institucioneve të Kosovës dhe eventualisht zgjedhje, gjithsesi që do të shënohet sukses.
Institucionet e Kosovës në asnjë moment nuk duhet të ndalen por të kenë një aktivitet të vazhdueshëm në zbatimin e strategjisë duke e përshtatur me kushtet e krijuara. Për fund mund të thuhet se një opinion i favorshëm i GJND-së, vendosja e gjykatave në veri, vendosja e doganave në pikat 1 dhe 31, numri i rritur i njohjeve për Kosovën si dhe një ofertë e institucioneve të Kosovës për vetëqeverisje lokale do t’i bindë apo detyrojë serbët e veriut që të pranojnë realitetin e shtetit të Kosovës. Mu ashtu siç po e pranojnë serbët në pjesët tjera të Kosovës.