Site icon Telegrafi

Strategjia për “shkëputjen” nga Kina

Ilustrim

Valbona Zeneli dhe Joseph Vann

Në hijen e katastrofës globale të shkaktuar nga pandemia Covid-19 qeveritë në të gjithë botën po rimendojnë praktikat tregtare me Kinën. Kjo përpjekje kërkon një reflektim të nevojshëm për partneritetet e vërteta ekonomike. Një shembull i përsosur i këtij lloji partneriteti është ekonomia transatlantike. I ndërtuar mbi bazat e Revolucionit Industrial dhe më pas i ridizenjuar për suksese më të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore, ekonomia transatlantike ka prodhuar bllokun tregtar më të madh dhe më të suksesshëm në botë, duke mbetur forca më dominuese dhe e ndërlidhur në ekonominë globale.

Megjithë sukseset e mëdha të ekonomisë transatlantike, mund të argumentohet se komuniteti transatlantik në njëfarë mënyre ka anashkaluar rëndësinë e këtij partneriteti. Evidenca qëndron në faktin se ne nuk po maksimizojmë seriozisht mundësitë e investimeve brenda partneritetit transatlantik, duke kufizuar kështu potencialin e tij, e ndërsa për shume gjatë, vëmendja jonë është zhvendosur drejt Kinës.

Gjatë dekadës së fundit, Partia Komuniste Kineze ka dërguar qartë mesazhe se Kina është duke u rikthyer në skenën botërore dhe planifikon të jetë një lojtare e rëndësishme. Vizioni i deklaruar është të rivendosë rendin global, sipas pikëpamjes së saj për botën, në të cilën Kina do të jetë një fuqi dominuese. Kina ka përfituar ekonomikisht nga rendi botëror, i bazuar në rregulla të ndershme, ndërkohë që është lejuar që t’u shmanget sistematikisht këtyre rregullave. Tashmë, një vend i fuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht, Partia Komuniste Kineze kërkon të bëhet “krijuese” e rregullave të reja për të përmbushur ambiciet e saj globale.

Për arsye të vlefshme, Kina është ftuar nga vendet perëndimore të hynte në skemat e tregtisë botërore, si, për shembull, Organizata Botërore e Tregtisë. Kjo i lejoi Kinës një akses të jashtëzakonshëm në tregjet globale, duke i shërbyer zhvillimit të saj ekonomik dhe teknologjik. Në të njëjtën kohë, Perëndimi ka neglizhuar shkeljet e panumërta kineze që demonstronin mosrespektimin e tyre për ligjin dhe normat e biznesit ndërkombëtar.

Pika e kthesës për vendet perëndimore, me shume të ngjarë është krijuar për shkak të krizës pandemike të Covid-19 dhe konsekuencave të saj dhe veprimeve jotransparente të Partisë Komuniste Kineze, të cilat i kanë kushtuar shtrenjtë komunitetit global. Shmangja e ndarjes së informacioneve transparente atëherë kur ishin më të nevojshme se kurrë dhe promovimi i historive dezinformuese e propagandistike për të hutuar dhe keqdrejtuar vëmendjen e komunitetit global, atëherë kur kishte më shumë nevojë për unitet, janë disa nga çështjet shqetësuese në ditët e sotme.

Si rezultat, tema e “decoupling” (shkëputjes) nga Kina është bërë objekt i shumë diskutimeve. Megjithëse ka mendime te ndryshme, por edhe kontradiktore në lidhje me këtë çështje, sfida është e qartë. Krijimi gjate dekadave të fundit të zinxhirëve kinezë të furnizimit dhe modeli i pëlqyeshëm i “çmimit të lirë”, e bënë shumë shpejt Kinën qendrën e prodhimit botëror, duke furnizuar me shume se 30 për qind të prodhimit botëror të mallrave. Papritur, nevoja urgjente për furnizime mjekësore gjatë pandemisë ishte një pikë kthjellimi në lidhje me varësinë e vendeve perëndimore nga Kina, si edhe vulnerabilitetin e kompanive që veprojnë nën kontrollin e Partisë Komuniste.

Sfidat ndonjëherë paraqesin mundësi. Ndërsa reflektojmë për ato që kemi mësuar nga kriza e fundit mjekësore dhe ekonomiko-sociale dhe fillojmë të projektojmë për normalitetin post-pandemik, ne kemi një mundësi perfekte për të çuar përpara të ardhmen e demokracive perëndimore në nivelin tjetër me të lartë. Rruga për të arritur këtë është përmes përforcimit të ekonomisë transatlantike.

Megjithëse jo e përsosur dhe me sfida jo të pakta, ekonomia transatlantike ka prodhuar bllokun tregtar më të madh dhe më të suksesshëm në botë. Prodhimi i Brendshëm Bruto real i Kinës (në çmime aktuale) është afërsisht 35 për qind e ekonomisë transatlantike. Tregtia midis Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE) i bën të gjitha marrëdhëniet e tjera tregtare të zbehta në krahasim me marrëdhënien transatlantike – përfshirë edhe tregtinë me Kinën.

Nivelet e tregtisë transatlantike (në mallra dhe shërbime) arritën në më shumë se 1.3 trilionë dollarë në vitin 2019. Këto volume tejkalojnë gjerësisht aktivitetet tregtare midis SHBA dhe Kinës (636 miliardë dollarë) si edhe midis BE-së dhe Kinës (718 miliardë dollarë).

Duke llogaritur tregtinë në mallra dhe shërbimeve, tregtia bilaterale SHBABE është sa shuma e aktiviteteve tregtare SHBA-Kinë dhe BE-Kinë. Ndërkohë, SHBA dhe BE kanë si të përbashkët deficitet e larta tregtare me Kinën. Këto deficite, 307 miliardë dollarë për SHBA dhe 146 miliardë dollarë për BE nuk janë aspak të shëndetshme, ekonomikisht. Kur bëhet fjalë për tregtinë transatlantike, ne kemi parë një rritje të qëndrueshme në dekadat e fundit. Vëllimet tregtare janë dyfishuar që nga viti 2000 (566 miliardë dollarë) dhe janë rritur me mbi 50 për qind që nga viti 2009 (834 miliardë dollarë).

Në vitin 2019, ekzistonte një bilanc tregtar pozitiv për BE-në në lidhje me mallrat, duke arritur 178 miliardë dollarë, dhe nga ana tjetër një bilanc tregtar amerikan në lidhje me shërbimet prej 60 miliardë dollarësh. Shpesh, diskursi publik mbi tregtinë SHBA-BE përqendrohet në mosmarrëveshjet taktike tarifore dhe priremi të anashkalojmë sukseset e përgjithshme të ekonomisë transatlantike.

Në përgjithësi dhe me përjashtim të disa sektorëve shumë të rregulluar tarifisht, si tekstilet, bujqësia dhe industria automobilistike, tarifat e tregtisë transatlantike janë mesatarisht vetëm 3.5 për qind.

Sidoqoftë, fokusimi vetëm te tarifat na bën të humbasim pamjen e gjerë. Negociatat me qëllim përmirësimin e procesit tarifor dhe rregullator transatlantik, që synojnë rritjen më tej të tregtisë dhe investimeve, janë të vazhdueshme dhe të dobishme reciprokisht. Duke pasur parasysh madhësinë e ekonomisë transatlantike, edhe suksese të vogla rezultojnë në përfitime pozitive për të dyja palët.

Në fund të fundit, rregulla e lojës është harmonizimi rregullator dhe ndjekja e rendit ekonomik global të bazuar në rregulla të qarta. Përveç kësaj, partneriteti transatlantik është idealisht i përshtatshëm për t’u përqendruar më te shumë shërbimet, një sektor ku tregtia është rritur gati tri herë në dy dekadat e fundit, nga 117 miliardë dollarë në 2000 në 487 miliardë dollarë në 2019. Shërbimet janë segmenti me rritjen më të shpejtë i tregtisë globale dhe sipas parashikimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë, shërbimet do të përbëjnë deri në një të tretën e tregtisë botërore deri në vitin 2040, një rritje prej 50 për qind gjatë dy dekadave të fundit.

Investimet e ndërsjella janë shtylla kurrizore, por shpesh e neglizhuar, e ekonomisë transatlantike. Me 6.2 trilionë dollarë në investime të ndërsjella, SHBA dhe BE-ja janë burimi dhe destinacioni kryesor i investimeve të huaja direkte (IHD), duke punësuar drejtpërdrejt më shumë se 16 milionë punonjës në të dyja anët e Atlantikut. Investimet e ndërsjella transatlantike janë të konsiderueshme dhe, në fakt, tejkalojnë shumë herë tregtinë, ndërsa provojnë se janë thelbësore për vendet e punës dhe prosperitetin e SHBA dhe Evropës. SHBA dhe BE së bashku përbëjnë 58 për qind të stokut pritës të investimeve të huaja globale (si destinacioni kryesor i investimeve botërore) dhe 63 për qind të stokut të investimeve të huaja në botë (si investitorët kryesorë në ekonominë globale). Në krahasim me ekonominë transatlantike, stoku i investimeve të huaja direkte në Kinë përbën vetëm 5 për qind të atyre globale (investime pritëse) dhe investimet kineze në bote përbejnë 6 për qind të atyre globale.

Për ta vënë në një perspektivë më të qartë, investimet e SHBA në Evropë përbëjnë afërsisht 60 për qind të stokut të investimeve të huaja amerikane në ekonominë globale. Investimet amerikane në Evropë janë katër herë më të larta se investimet amerikane në rajonin e Azisë Paqësore dhe 31 herë më të lartë se investimet amerikane në Kinë. Si një simbol i integrimit më të thellë ekonomik, stoku i investimeve amerikane në Evropë është rritur shumë më shpejt se nivelet e tregtisë, duke u rritur me 5 herë që prej viti 2000. Kjo prirje vazhdoi edhe pas krizës financiaro-ekonomike 2008- 2009 dhe është cilësuar si një nga nxitësit kryesorë të rimëkëmbjes ekonomike në të dyja anët e Atlantikut.

Në fakt, që nga viti 2009 investimet amerikane në Evropë janë dyfishuar, duke arritur 3.6 trilionë dollarë në 2019. Investimet evropiane përbëjnë 68 për qind të stokut të përgjithshëm të investimeve të huaja në SHBA, krahasuar me investimet që vijnë nga rajoni i Azisë Paqësore, te cilat përbëjnë vetëm 16 për qind të investimit total. Investimet e huaja kineze në SHBA përbëjnë vetëm 0.9 për qind të investimeve totale.

Vetëm stoku i investimeve gjermane në SHBA është me shume se tetë herë më i madh se stoku i investimeve kineze në tregun amerikan. Kur shqyrtojmë investimet kineze në Evropë, deri tani përbëjnë rreth 3 për qind të stokut të përgjithshëm të investimeve të huaja në BE.

Megjithatë, sasia e investimeve kineze në Evropë është rritur me shpejtësi në vitet e fundit, interesat kineze përqendrohen qartë në investime strategjike në vendet më të avancuara të BE-së dhe projektet e zhvillimit infrastrukturor në periferinë e saj. Qëllimi i Pekinit zyrtar është të ndikojë në peizazhin ekonomik dhe politik evropian.

Partia Komuniste Kineze ka një strategji të mirëstrukturuar kur bëhet fjalë për Evropën. Projektet e ndryshme të Pekinit synojnë të mbështesin Iniciativën Belt and Road (Rripa dhe Rrugë) duke krijuar një terren të politikave ekonomike dhe të jashtme të rajonit, në favor të Kinës. Platforma “17 + 1” që përqendrohet në vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore është shembulli më i qartë i kësaj strategjie.

Si rezultat i këtyre zhvillimeve ekonomike dhe të sigurisë, BE po përpiqet të përcaktojë ekuilibrin e duhur në lidhje me Kinën si një “konkurrues ekonomik”. Kina, nga ana tjetër, është në kërkim të dominimit të saj teknologjik, si edhe një promovuese e modeleve alternative të qeverisjes. Në kontekstin e konkurrencës së re gjeopolitike të fuqive të mëdha, Partia Komuniste Kineze po luan kartën e multilateralizmit në Evropë – jo si bazë të aderimit në vlerat e mëdha ideologjike, por thjesht për të parandaluar BE-në dhe SHBA që të aktivizojnë plotësisht ekonominë transatlantike në përgjigje të sjelljes së diskutueshme të Kinës. Është e qartë se Pekini ka si qëllim të vërë në funksion të gjithë elementët e pushtetit për të arritur qëllimet e tij.

Përfitimi nga normat ndërkombëtare të bazuara në rregulla të qarta loje të ndershme është krejtësisht ndryshe nga ndjekja e këtyre rregullave. Këtu përfshihet edhe lufta informative dhe propaganda për të hutuar dhe keqdrejtuar vëmendjen e komunitetit global. Samiti i fundit virtual BE-Kinë zbuloi disa nga këto elemente. Mundësitë e ndershme të investimeve, aksesi në tregje dhe detyrimet për të njohur të drejtat themelore të njeriut mbeten çështje të divergjencës në marrëdhëniet kino-evropiane.

Evidencat janë të qarta – ekonomia transatlantike është vendi ku vlerat, të mbështetura në sundimin e drejtë të ligjit, kontribuojnë në krijimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Levat kryesore ekonomike janë të pjekura dhe mbështetëse për suksese të vazhdueshme ekonomike.

Gjallëria e ekonomisë transatlantike është levë drejtuese e ekonomisë globale dhe tek ajo duhet të përqendrohemi për të intensifikuar investimet dhe biznesin tonë.

(Botuar te “The Diplomat”. Valbona Zeneli dhe Joseph Vann janë profesorë dhe drejtues programesh në Qendrën Evropiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall” (Marshall Center). Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorëve dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politiken zyrtare të “Marshall Center” dhe të qeverive të ShBA-së dhe Gjermanisë)

Exit mobile version