Ndërtimi i një fryme të re vepruese dhe bashkëpunuese të shekullit XXI, rikthimi i Vatrës në Uashington dhe qasja e saj në institucionet relevante atje duke filluar riparimin dhe formën e bashkëpunimit të përhershëm për të mirën e shqiptarëve në Ballkan, krijimi i mekanizmave të reja financiare për Vatrën dhe hapja e Vatrës te gjeneratat e reja shqiptare-amerikane, janë vetëm disa nga premtimet dhe prioritet, e kryetarit të ri të Federatës PanShqiptare të Amerikës “Vatra”, Elmi Berisha, për vitin 2020-2022, të cilat i ka parashtruar komunitetit shqiptaro-amerikanë.
Në një intervistë për Telegrafin, kryetari Elmi Berisha i cili është edhe kryetari i parë shqiptar nga Kosova në krye të “Vatrës”, tha se për pikën e parë, fryma vepruese e bashkëpunuese e Vatrës është e domosdoshme më shumë se kurrë, pasi që të gjithë shqiptarët në shpirt kanë mirëqenien dhe prosperitetin tonë shoqëror dhe ekonomik.
Kryetari i ri i “Vatrës”, Elmi Berisha u lind në fshatin Kpuz – komuna e Klinës.
Aty ka kryer shkollën fillore, kurse të mesmen në Klinë. Studimet universitare i ka ndjekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në drejtimin Biznes dhe Menaxhment.
Pas diplomimit nga Madison University, ka vazhduar studimet pasuniversitar dhe ka magjistruar në atë universitet me temën “Lidershipi”. Gjithashtu ka kryer studime në drejtimet |E drejta kriminalistike si dhe Shkencat e Mjekësisë Ligjore”, në John Jay College of Criminal Justice dhe University of Neë Haven.
Në aspektin profesional, është president i Kompanisë “Berisha, Brothers Management, Inc”, që nga themelim i saj. Kurse, nga vitet 2000 deri në 2006 ka qenë përfaqësues politik i presidentit Rugova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe pranë zyrës së senatorit Bod Dole, Ambasador nderi i Kosovës në SHBA.
“Rrethanat e reja gjeopolitike kanë ndikuar edhe në qasjen e objektivave të “Vatrës”, në rrafshin e organizimit dhe në shtrirje gjithëpërfshirëse sepse kjo është mënyra më e mirë dhe më e drejte e mirëkuptimit të “Vatrës”.
Duke qenë të vetëdijshëm se kultura bashkëpunuese në vendlindjet tona nuk është ende në nivel të kënaqshëm, ne si përfaqësues të “Vatrës”, dhe si shqiptaro-amerikanë e kemi për detyrë që ashtu sikurse Vatranët paraardhës t’i ruajmë, mbrojmë dhe ndihmojmë shtetet amë.
Detyra jonë morale dhe kombëtare është të mos e humbim fokusin për prioritet tona mbarëkombëtare. Dhe veçanërisht mos lejojmë që interesat personale, preferencat vetjake apo ideologjitë klanore ta lëkundin institucionin më të respektuar në diasporë dhe në mbarë botën shqiptare”, tha kryetari Berisha.
Pjesë e rëndësishme e strategjisë së “Vatrës”, sipas tij, është mobilizimi për atë që Federata e di më së miri dhe ajo është lobimi në Washington, sepse është vazhdim i traditës vatrane 108 vjeçare dhe përkushtimit të saj për marrëdhënie të forta miqësie me Shtetet e Bashkuara.
“Për mua, kjo pikë është në ‘rend të parë të ditës’ nisur nga sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova, Shqipëria dhe viset shqiptare në rajon. Nisma e “Vatrës”, mbështetet tek përvoja historike e saj dhe e bashkësisë shqiptare-amerikane në këtë fushë, që do t’i përmbahet rregullave dhe ligjeve të përcaktuara për influencim dhe lobim. Mekanizmat e financimit janë të dobishme për ta bërë më të lehtë dhe funksionale punën e “Vatrës”. Burimet kryesore të financës do të mbështeten në donacione direkte dhe organizime vjetore për ngritje të fondeve. Nisur nga përvoja e deritanishme, organizimet të tilla kanë sjellë rezultate të mira për financimin e “Vatrës”. Ndërkohë mund të identifikohen mundësi të reja për mbështetje financiare nga institucionet relevante amerikane”, tha mes tjerash në intervistë kryetari Berisha.
Sa i përket të rinjve, ai tha se tema më e ndjeshme është aderimi i gjeneratave të reja tek “Vatra”, më anë të një strategjie efikase dhe të posaçme, ku të rinjtë mund të shprehin energjitë e veta dhe të ruajnë trashëgiminë e Vatrës. Me këtë synim, sipas tij, mund të krijohen grupe që bisedojnë me të gjithë ata që shprehin interes të jenë pjesë e “Vatrës”, pasi që urat e komunikimit dhe platforma moderne eletronike krijojnë mundësi informimi si edhe raste për zgjerim të pjesëmarrjes apo angazhimit më direkt në aktivitetet e “Vatrës”.
Sa i përket rritjes së prestigjit të “Vatrës”, kryetari Berisha tha se themeluesit e krijuan Federatën “Vatra”, në 28 prill 1912, me një program kombëtar të mbështetur nga shqiptarët e Amerikës, e cila ishte edhe hallkë e fortë për shqiptar- amerikanët e ardhur nga krejt viset shqiptare.
“Historia e kombit shqiptar qysh nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e deri më sot është e lidhur ngushtë me veprimtarinë e Federatës “Vatra”, dhe patriotëve shqiptarë. Duke e respektuar trashëgiminë e saj të lavdishme, anëtarët dhe drejtuesit e “Vatrës”, e ndiejnë peshën e përgjegjësisë që mbajnë mbi vete për të qenë jo vetëm të pranishëm si institucion prestigjioz në diasporë, por edhe aktivisht të angazhuar në bashkëpunim dhe koordinim me bashkësinë tonë për të përfaqësuar interesat mbarëshqiptare në të gjitha nivelet e mundshme”, tha mes tjerash në intervistë kryetari Berisha.
Ruajtja e kulturës dhe gjuhës, rezistenca ndaj asimilim, po ashtu është në platformën themeluese të “Vatrës”, për të cilën, kryetari Berisha tha këto kanë qenë parësorë dhe kjo ka qenë e vërtetë si atëherë ashtu edhe tash. Si Federatë me tradita demokratike dhe përparimtare, Berisha tha se “Vatra”, ka mbijetuar dy luftëra botërore, dhe ka rezistuar trysnive dhe presioneve gjatë dhe pas periudhës së errët komuniste sepse ka ditur të respektojë dhe kultivojë identitetin shqiptar.
Ai tha se Vatranët e vjetër kanë sjellë në Vatër brezin e dytë e kështu me radhë, prandaj, në takime e tubime si p.sh në festimin e pavarësisë së Kosovës në muajin shkurt në selinë e Vatrës në Bronx festonin bashkë babë e bir dhe gjyshi e mbesa, sepse “Vatra” jonë ashtu si në familjet e mëdha ka në radhët e saj të gjitha gjeneratat e shqiptarëve në Amerikë, dhe ekipi im do përgatis programe për joshjen e të rinjve në “Vatër”.
Në këtë intervistë, kryetari Berisha foli edhe për sensibilizimin mbarëkombëtar, që për mendimin e tij, sensibilizimi i çështjes kombëtare shqiptare fillon prej nesh, pasi që energjitë intelektuale dhe krijuese të Vatranëve të frymëzuara nga interesat kombëtare, janë resursi ynë më i vyer për të ardhmen.
Ai shtoi se “Vatra”, u themelua mbi një platformë kombëtare, prandaj shqiptarët iu përgjigjën asaj pozitivisht, duke ecur në traditën e mirë të lobimit dhe fushatës së sensibilizimit, ku kemi pasur takime me zyrtarë të diplomacisë amerikane në Uashington gjatë muajit shkurt 2020, pas Kuvendit të Miçiganit.
Në dallim nga vizitat e mëparshme të “Vatrës”, në Departamentin e Shtetit, kryetari Berisha theksoi se ekipi i tij pati takim të përbashkët me punonjësit e politikës së jashtme amerikane, të cilët janë të përgjegjshëm për Shqipërinë dhe për Kosovën, z. Keith West dhe z. Ilan Goodman. Gjithashtu, ai tha se në shkurt është ftuar në takimet e bashkësisë me Ambasadoren amerikane në Shqipëri, zonja Yuri Kim dhe Ambasadorin amerikan në Kosovë, zotin Philip Kosnett.
“Për sa i takon vëmendjes ndaj çështjes kombëtare, do përmend një rast të fundit, lidhur me një opinion të publikuar javën e kaluar në gazetën “Washington Times”. Me argumente të shtrembëta dhe falsifikime të historisë, autori bëhet zëdhënës i propagandës serbe dhe vegël e politikës ruse, duke thënë se taksapaguesit amerikanë po derdhin para në Kosovë pa asnjë dobi për Amerikën dhe se ka ardhur koha për tu tërhequr prej andej. Në reagimin tim, unë iu përgjigja autorit me fakte, se lufta në Kosovë nuk ishte konflikt fetar dhe, për më tepër, politika e jashtme amerikane përfshirë ndërhyrjen ushtarake në 1999, ishte e mbështetur nga udhëheqës republikanë e demokratë. Edhe pas njëzet vjetëve, qetësia dhe paqja në Kosovë dhe më gjerë në rajon është pikë pajtimi midis republikanëve dhe demokratëve në Uashington. Si në këtë rast por dhe në episode të tjera”, tha kryetari Berisha duke shtuar se “Vatra” flet me gjuhën e fakteve dhe forcën e argumentit ndaj shtrembërimeve dhe përpjekjeve për të manipuluar opinionin amerikan dhe influencuar negativisht qëndrimin ndaj çështjes shqiptare.
Ndërkaq, sa i përket projekteve të “Vatrës”, ai bëri të ditur se deri në kohën kur u vendosën masat për mbrojtjen nga pandemia e coronavirusit dhe pezullimi i aktiviteteve sociale, në selinë e “Vatrës”, erdhën për takime e vizita politikanë amerikanë si edhe përfaqësues e drejtues të shoqatave e organizatave të bashkësisë sonë me të cilat “Vatra”, ka bashkëpunuar dhe bashkërendon aktivitetet e veta në komunitet.
Megjithatë , në këtë intervistë, kryetari Berisha shprehu urimet për gjithë bashkatdhetarët tanë me rastin e 108 vjetorit të themelimit të “Vatrës”, duke filluar nga themeluesit me në krye Fan Nolin, Faik Konicën me bashkëpunëtorët e tyre formuan Federatën Pan Shqiptare të Amerikës të pagëzuar me ermin “Vatra”, me qëllim të bashkonin forcat intelektuale, materiale dhe njerëzore në dobi të interesave të shqiptarëve dhe për të mirën e kombit. i priu përpjekjeve për pavarësi. “Në sajë të diplomacisë, të punës së palodhur dhe sakrificave të shqiptarëve u arrit mbrojtja e Shqipërisë nga copëtimi midis fuqive të kohës dhe vendeve fqinje. “Vatra”, është ‘themeltare” në formimin e shtetit të parë shqiptar.
Për 108 vite ajo nuk e ka reshtur veprimtarinë dhe kontributin e saj në të gjitha proceset përfshirë rolin tejet të vyer edhe në formimin e shtetit sovran të Kosovës”, tha mes tjerash në intervistë për Telegrafin, kryetari Berisha.
Së bashku me themeluesit e saj, sipas tij, ne nderojmë me respekt të gjithë heronjtë antikomunist të Vatrës, si Kristo Kirka, një prej bashkëthemeluesve të saj dhe atdhetar shqiptar, i cili vdiq në burgun famëkeq të Burrelit, Kolë Tromara, ish kryetarin e Vatrës, Menaxherin e Diellit dhe komandantin e Trupave Vullnetare të Vatrës, Aqif Përmeti, Editorin e Diellit Bahri Omari – të pushkatuar nga diktatura komuniste shqiptare. Në burgjet dhe qelitë e regjimit u shuan Kryetari i Vatrës dhe Editorit të Diellit Aqile Tasi, Koço Kota, Kolë Rodhja, ish editori i Diellit, Andon Frashëri, që udhëhoqi fushatën e Shpëtimit të Shqipërisë, Ali Kuçi, e shumë breza të vatranëve që kanë dhënë dhe ende japin për Vatrën! 108 vjet përpara, në fillimet e shekullit 20, Federata Pan- Shqiptare e Amerikës iu priu përpjekjeve për pavarësi,
Në fund ai bëri të ditur se në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit XXI, “Vatra”, është fuqimisht e angazhuar për sensibilizimin e çështjes kombëtare dhe mobilizimin e energjive të reja për të përfaqësuar interesat mbarëshqiptare në të gjitha nivelet e mundshme./Telegrafi/Lumturije BEKAJ/