Thirrja e presidentit amerikan, Donald Trump për legjislacionin që synon forcimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, përballet me një të ardhme të pasigurtë në Kongres.
“Unë po e drejtoj administratën time për të bashkëpunuar ngushtë me Kongresin dhe aleatët tanë për të adresuar mangësitë e marrëveshjes, në mënyrë që regjimi i Iranit të mos kërcënojë botën me armë bërthamore”, tha Trump.
Kryetari i Komitetit të marrëdhënieve të Jashtme në Senat, Bob Corker dhe kolegu i tij republikan, Tom Cotton, pas fjalimit të Trumpit ofruan një skicë të legjislacionit që ata thanë se do t’i zgjidhte mangësitë e marrëveshjes bërthamore.
Sipas një përmbledhjeje, ky legjislacion do të rivendosë sanksionet bërthamore kundër Iranit.
Trump po përballet me kundërshtime nga partia e tij republikane. Senatori, Marco Rubio, tha se ai ka “dyshime” rreth strategjisë së Trumpit dhe do të donte që presidenti të braktiste këtë marrëveshje.
Në anën tjetër, shumica e demokratëve në Kongres, po ashtu e kanë kundërshtuar strategjinë e Trumpit.