Site icon Telegrafi

Strategjia e Qeverisë së Kosovës, forcimi i sektorit privat

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, po merr pjesë në Forumin për Investime dhe Tregti, që po mbahet në Vjenë.

Ky forum është organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Odën Ekonomike Austriake si dhe me mbështetjen e Ambasadës së Kosovës në kryeqytetin austriak, transmeton Koha.net.

Forumi po mbahet në ambientet e Odës Ekonomike Austriake në Vjenë, me pjesëmarrje të dhjetëra kompanive austriake dhe kosovare si dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve dhe asociacioneve të biznesit të Republikës së Kosovës.
Në fjalën e saj, ministrja Bajrami u tha të pranishmëve se Qeveria e Republikës së Kosovës po punon shumë në ndërmarrjen e reformave gjithëpërfshirëse strukturore me qëllim të përmirësimit të ambientit të të bërit biznes dhe tërheqjes së investimeve të huaja direkte. Një nga qëllimet strategjike të qeverisë është forcimi i sektorit privat si gjeneruesi kryesor i vendeve të punës dhe zhvillimit të qëndrueshëm, tha ministrja.

Ajo shtoi se “Qeveria e Republikës së Kosovës po punon me një agjendë të ngjeshur dhe të sinkronizuar. Vitin e shkuar kemi kompletuar një pako të rëndësishme dokumentesh strategjike të cilat do të na ndihmojnë që procesi ynë i reformave të jetë konsistent dhe të krijojmë politika të parashikueshme.” Në këtë mes, ajo përmendi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016 – 2021, Programin për Reforma Ekonomike dhe Planin për Zbatimin e MSA-së 2016 – 2020, implementimi i të cilave dokumente do të sjellë ekonominë e Kosovës në binarë të sigurt të zhvillimit dhe rritjes.

Ministrja Bajrami përmendi shumë zhvillime pozitive të cilat janë ndërmarrë nga qeveria e vendit, si: përmirësimi i legjislacionit, i infrastrukturës fizike për punë të bizneseve, krijimi i stimujve dhe politikave të favorshme fiskale të cilat po e nxisin veprimtarinë prodhuese.
Bajrami potencoi se viti 2015 ishte vit i kthimit të entuziazmit dhe besimit në ekonomi dhe investime, sepse për dallim me vitin 2014 kur investimet ishin vetëm 150 milionë euro, viti 2015 solli dyfishim të investimeve të huaja direkte në Kosovë me rreth 324 milionë euro.

Me këtë rast, ministrja Bajrami u bëri thirrje investitorëve austriakë që të vijnë në vendin tonë sepse Kosova ka resurse të konsiderueshme dhe potenciale të mrekullueshme njerëzore, si dhe ka bërë përparime në shumë fusha qeverisëse të cilat u ofrojnë siguri investitorëve të huaj dhe atyre nga diaspora.

Në margjina të konferencës, ministrja Bajrami zhvilloi takime bilaterale me biznese të ndryshme austriake ku i njoftoi ata me potencialet dhe mundësitë e shumta që ofron Kosova. /Telegrafi/

Exit mobile version