Telegrafi

Strategjia e kundërligjshme

Avni Zogiani udhëheqës i Organizatës Çohu gjatë një konference të premten tha se pa kuorumin e duhur dhe mes presionesh të kryeministrit, kryeparlamentari e ka nxjerrë në votim Strategjinë për PTK-në duke bërë shkelje të rregullores së Kuvendit, por edhe shkeljen e tërë institucionit të Kuvendit.
“Seanca e djeshme për Strategjinë e PTK-së për nga atmosfera i ngjante shumë seancës së rrethuar të Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në të cilën nën presion deputetët e këtij Kuvendi dhanë përkrahjen për ndryshimet kushtetuese që suprimuan autonominë e Kosovës”, tha Zogiani.

Ndërkaq, sa i përket pohimeve të kryeministrit Thaçi, për shtrirjen e hetimeve për korrupsion edhe në Kuvend Zogiani i ka quajtur si shantazhe që u është bërë deputetëve për hetime.
“Strategjia për PTK-në është e kundërligjshme dhe nuk përkon me vullnetin e shumicës së përfaqësuesve të popullit, por është një dokument i dhunshëm i ngjashëm me ato që regjimi serb sillte në vitet e 90-ta. Kuvendit të së enjtes i mungoi vetëm rrethimi policor për t’i ngjarë një Kuvendi të viteve të 90-ta”, tha Zogiani. /Telegrafi/