Pas muajsh përpjekjesh për të kufizuar përhapjen e coronavirusit në Shtetet e Bashkuara, imuniteti i tufës është shfaqur si një temë e diskutueshme.
Anëtari i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Coronavirus, mjeku Scott Atlas iu përgjigj një raportimi që pretendonte se ishte ithtar i strategjisë së “imunitetit të kopesë” për të luftuar COVID-19. “Unë kurrë nuk e kam mbështetur atë strategji”, tha Atlas në një konferencë shtypi në Florida, raporton CNN.
Një qasje e tillë – e ngjashme me atë në Suedi – do të nënkuptojë se shumë njerëz në të gjithë vendin do të duhej të infektohen me coronavirus në mënyrë që të krijonin një imunitet natyror nëpër komunitete. Por derisa do të përhapet virusi dhe njerëzit të sëmuren, shumë mund të vdesin gjatë këtij procesi.
Në SHBA, dy milionë persona mund të vdesin në përpjekjen për të arritur imunitetin e tufës ndaj virusit, pohoi mjekja Leana Wen, transmeton Telegrafi.
“Nëse do të presim që 60 deri 80 për qind e njerëzve të infektohen, përkatësisht po flasim për mbi 200 milionë amerikanë që ta kenë coronavirusin – dhe me një shkallë fataliteti prej 1 për qind, do të thotë se do të kemi dy milionë amerikanë të vdekur në përpjekjen për të provuar marrjen e imunitetit të tufës”, tha Wen. “Këto vdekje janë të parandalueshme, të cilat thjesht nuk mund t’i lëmë të ndodhin nën vëzhgimin tonë”, shtoi ai.
Mjekja Maria Van Kerkhove, udhëheqësja teknike e OBSH-së për reagimin ndaj coronavirusit, tha javën e kaluar se “imuniteti i tufës” diskutohet zakonisht në kontekstin e vaksinimeve – jo si një përgjigje ndaj një pandemie.
“Nëse mendojmë për imunitetin e tufës në kuptimin natyror është shumë e rrezikshme,” tha ajo. “Kjo do të thotë se shumë njerëz janë të infektuar, shumë njerëz do të kenë nevojë të trajtohen në spital dhe shumë njerëz do të vdesin”, përfundoi Kerkhove.
Ndryshe, Suedia thuhet se ka “ngelur” në luftën ndaj pandemisë pasi që deri më tani janë infektuar 83958 persona gjersa kanë ndërruar jetë 5821 njerëz. /Telegrafi/