Telegrafi

Stop kontratës kriminale me Feronikelin

Sipas burimeve të gazetës, për një plan të tillë, zyrtar të KEK-ut e kanë fituar përkrahjen e qeverisë e po ashtu janë duke biseduar me drejtues të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave (MEM).

Insistimin e KEK-ut për ta shkëputur kontratën me “Feronikelin” e kanë konfirmuar edhe vet zyrtarët e kompanisë.

“KEK-u e ka adresuar këtë çështje tek të gjitha palët e interesit duke përfshirë edhe MEM-in që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dy palët”.

Në anën tjetër zv/ministri i MEM-it, Blerim Rexha, duke u thirrë në vlerësime qeveritare, kontratën mes KEK-ut dhe “Feronikelit”, e ka vlerësuar si të dëmshme.

Ndryshe ndërmarrja “Feronikel”, gjatë procesit të privatizimit në vend ishte blerë nga Kompania “Alferon”. Menjëherë pas privatizimit qeveria e kaluar e pati marrë pëlqimin edhe të UNMIK-ut që KEK-u të nënshkruajë kontratë me “Feronikelin” për furnizim me energji elektrike.

Me këtë kontratë “Feronikeli| blinte rrymë nga KEK-u, 2-3 herë më lirë madje edhe se konsumatorët e amvisërisë.

Burime të gazetës tregojnë se, humbjet e KEK-ut nga kjo kontratë kalojnë shifrën mbi 20 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare të KEK-ut, “Feronikeli” i shpenzon 55 deri në 85 megavat energji elektrike për orë.