Aleanca e NATO-s ia ka zgjatur të enjten mandatin Jens Stoltenbergitut si sekretar i përgjithshëm deri në fund të vitit 2022.
Një vendim i tillë, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, e ka bërë ish-kryeministrin norvegjez një nga udhëheqësit më të gjatë në shërbim të aleancës ushtarake perëndimore.
Stoltenberg, 60 vjeç, i cili mori postin më 1 tetor të vitit 2014, tani do të largohet dy vjet më vonë se sa ishte planifikuar, më 30 shtator 2022.
Vlerësohet se Stoltenberg është popullor me aleatët, veçanërisht presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili e krediton atë me ndihmën për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes evropiane, kanë thënë diplomatët.
“Aleatët shprehën mbështetjen e tyre për punën e sekretarit të përgjithshëm për të përshtatur dhe modernizuar NATO-n dhe për të siguruar që ajo të mbetet e gatshme për të ardhmen”, citohet të jetë thënë në një deklaratë të NATO-s.
Nëse ai e përfundon mandatin e tij, Stoltenberg do të jetë shefi i dytë me periudhë më të gjatë në krye të NATO-s, pasi ish ministri i jashtëm holandez, Joseph Luns ishte në detyrë prej tetorit të vitit 1971 deri në maj të vitit 1984. /Telegrafi/