Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar sot pas takimit me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq, se Serbia është një eksportues i stabilitetit në rajon.
Ai tha se Aleanca Veri-Atlantike respekton neutralitetin ushtarak të këtij vendi dhe shprehu keqardhje për viktimat e pafajshme të fushatës së NATO-s, apo bombardimit të Jugosllavisë së atëhershme.
Shefi i NATO-së në një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e ekzekutivit serb theksoi po ashtu se qëllimi dhe objektivi i fushatës ajrore të NATO-s në vitin 1999 ka qenë mbrojtja e civilëve që përfundoi me sukses.
“Humbja e jetës së njerëzve të pafajshëm është një tragjedi dhe për këtë arsye më vjen shumë keq”, ka thënë Stoltenberg, raportojnë mediat serbe, përcjellë Klan Kosova.