NATO njoftoi se Republika e Maqedonisë mund të bëhet anëtarja e 30-të në vitin 2019, nëse realizohet Marrëveshja e Prespës për emrin.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në konferencë për shtyp tha se negociatat për pranimin e Maqedonisë mund të përfundojnë në janar të vitit të ardhshëm dhe në fillimin e vitit 2019 vendi mund të bëhet anëtare e NATO-s, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Të gjithë me vëmendje e ndoqëm referendumin në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. E përshëndesim marrëveshjen e arritur me Greqinë. Ndërsa Shkupi duhet të bëjë hapat e ardhshëm”, tha Stoltenberg.
Ai shtoi se NATO është e gatshme ta pranojë Maqedoninë si anëtarja e re e Aleancës.
“Kjo mund të ndodh vetëm me zbatimin e marrëveshjes me Greqinë. Negociatat për anëtarësim kanë filluar dhe presim të përfundojnë në janar të vitit të ardhshëm. Kur të përfundojë pranimi i marrëveshjes, mund ta nënshkruajmë protokollin me IRJM. Ftoj të gjithë të tregojnë përgjegjësi dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, tha Stoltenberg./Telegrafi/