Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, është vënë në vështirësi përgjigjeje gjatë një interviste për revistën ‘Foreign Policy’. Pas një deklarimi të tij se NATO është aleancë 29 demokracive, ai është pyetur nëse Turqia është një demokraci. Stoltenberg ka preferuar të mos e përkufizojë Turqinë si demokraci, por si një aleate të çmuar, duke justifikuar sjelljen e saj me të ashtuquajturën ‘shqetësime të sigurisë’.
I pyetur sërish nëse Turqia është apo jo demokraci, Stoltenberg është përgjigjur se Turqia është një aleate e NATO-së.
“Turqia është aleate e NATO-së. Ka zgjedhje në Turqi dhe ne thjesht presim që Turqia t’i përmbahet vlerave thelbësore të NATO-së”, tha Stoltenberg.
“Së pari ne nuk shohim ndonjë kërcënim ndaj ndonjë anëtari të NATO-së dhe për rrjedhojë, unë jam përherë i kujdesshëm në spekulimin e tepër rreth situatave hipotetike. Por ajo që mund të them është se çdo gjë si ajo që ndodhi në Krime dhe Ukrainë, do të provokonte sigurisht një përgjigje nga e gjithë aleanca, sepse NATO është aty për të mbrojtur aleatët e vet”, shtoi ai. /Telegrafi/