Site icon Telegrafi

Stoltenberg pas takimit me Vuçiqin: KFOR-i i gatshëm të intervenojë nëse rrezikohet siguria

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Stoltenberg ka thënë se situata në teren është përmirësuar, ndonëse misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit të situatës.

I pyetur se çfarë nënkupton paralajmërimi për intervenim të NATO-s, Stoltenberg ka thënë se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë.

“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”.

Stoltenberg ka thënë se fakti që KFOR-i është misioni më i madh ushtarak i NATO-s jashtë aleancës, flet për përkushtimin e saj në parandalim të tensioneve.

Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se Serbia respekton misionin e KFOR-it.

“Kemi folur për atë që ka ndodhur. Nuk kemi nevojë që të shohim secilën herë situatën sipas një perspektive. E respektojmë misionin e KFOR-it dhe njoftimi i tyre atë natë ka ndikuar në ulje të tensioneve”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar deklaratës së misionit të NATO-s më 31 korrik, se është e gatshme të intervenojë nëse përshkallëzohet situata në veri të Kosovës.

Takimet në selinë e NATO-s vijnë një ditë para se Kurti dhe Vuçiq, po në Bruksel, do të takohen për të vazhduar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sa i përket dialogut në Bruksel, Vuçiq e ka parë takimin si të vështirë.

“Paqja dhe stabiliteti janë shumë të rëndësishme për Serbinë. Nuk dua t’ia lë fajin dikujt. Do të kemi diskutime të vështira nesër, ne nuk pajtohemi thuajse në asgjë. Ne duam të forcojmë bashkëpunimin me KFOR-in dhe NATO-n, dhe duam të evitojmë çfarëdo konflikti. Ne besojmë që nuk kemi bërë asnjë lloj provokimi”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Takimet në kryeqendrën evropiane mbahen në kohën e rritjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendime të ekzekutivi të udhëhequr nga Kurti.

Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës. Dokument të tillë Serbia lëshon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet, raporton REL.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa me akronime të Kosovës, sikurse PZ, KM e të ngjashme, qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe. Prishtina i konsideron këto targa ilegale.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 31 korrik tha se ishte i gatshëm të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti, sipas mandatit që derivon nga rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.

Qëndrim të njëjtë shprehu edhe Stoltenberg gjatë një bisede telefonike me Vuçiqin më 3 gusht.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes diplomacisë”, kishte thënë Stoltenberg në Twitter pas bisedës me Vuçiqin.

Serbët lokalë më 31 dhe 1 gusht ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe. Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe ekzekutivi u pajtua që të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Kryeministri Kurti deklaroi për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht se ka pasur rrezik që tensionet në veri të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur. Ai ka fajësuar Beogradin për rritjen e tensioneve.

Ai po ashtu ka thënë se deri te rritja e tensioneve erdhi si pasojë e një fushate të dezinformimit të udhëhequr nga Serbia dhe u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos bien pre e fushatave të tilla.

Ndërkaq, në Beograd, Vuçiq deklaroi disa ditë më vonë se kishte informacione për plane të Prishtinës për “likuidimin” e serbëve në veri të Kosovës, teksa ka shtuar se Serbia është për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Këto deklarata u panë me shqetësim nga Bashkimi Evropian që më 14 gusht u bëri thirrje zyrtarëve në Kosovë dhe Serbi të ndalonin retorikën nxitëse dhe tha se do të mbajë përgjegjës liderët “për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”.

Përderisa, agjenda e takimeve mes shefit të NATO-s dhe liderëve të Kosovës dhe Serbisë nuk dihet, agjenda e rundit të ri të dialogut është bërë publike.

Sipas njoftimit të BE-së, takimi Kurti-Vuçiq, do të përqendrohet se si të avancohet dialogu drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve. Po ashtu, mëtohet që të trajtohen çështjet aktuale që kanë për synim zbutjen e tensioneve mes dy shtete.

Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit të kaluar.

Palët kanë qëndrime të kundërta sa i përket edhe përfundimit të procesit dialogut të nisur më 2011. Përderisa Kosova kërkon që procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshijë njohjen reciproke, Serbia synon një zgjidhje kompromisi.

Exit mobile version