Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë sot se NATO po e diskuton angazhimin e saj lidhur me ndihmën dhe vendimin për bashkëpunim me FSK-në pas vendimit për transformimin në Ushtri të Kosovës.
Stoltenberg theksoi se vendimi për këtë do të merret në pranverë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka folur sërish për taksën e vendosur nga Kosova për produktet serbe.
Ai tha se vendosja e taksës ka vështirësuar dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, shumë anëtarë të NATO-s po kërkojnë heqjen e taksës.
“Është diçka që e kam thënë unë dhe aleatët e NATO-s, edhe SHBA-të ishin të qarta sa i përket tarifës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo edhe është arsyeja pse kemi vendosur ta vlerësojmë nivelin tonë të angazhimit në Kosovë, kjo nuk ka të bëjë me KFOR-in, sepse KFOR-i do të vazhdojë të funksionojë me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne besojmë në një zgjedhje politike përmes dialogut mes Prishtinë dhe Beogradit dhe sa i përket veriut është një marrëveshje e vitit 2013 dhe presim që ajo të vazhdojë të respektohet”, tha ai.
Ndryshe, Samiti i Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s ka filluar sot punimet, ku është diskutuar për Kosovën dhe FSK-në.
“Do të diskutojmë për misionin e trupave të KFOR-it që vazhdojnë të japin kontribut të rëndësishëm për stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor. Do të diskutojmë edhe për nivelin e bashkëpunimit me FSK-në, dhe me këtë e konsideroj të hapur sesionin”, ka deklaruar Stoltenberg në hapjen e sesionit.