Site icon Telegrafi

Stoltenberg: NATO mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkan

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë, sot në Sarajevë deklaroi se Aleanca mbetet e përkushtuar në stabilitetin e rajonit të Ballkanit, si dhe në partneritetin me BeH.

“Për dy dekada me radhë NATO i ndihmon dhe e garanton stabilitetin dhe me të vërtetë e vlerësojmë partneritetin me BeH dhe kjo është e rëndësishme edhe për BeH-në edhe për NATO-n, pasi që partneriteti ynë është i ndërsjellë”, tha Stoltenberg pas takimit me anëtarët e Kryesisë së BeH-së.

Siç njofton Fena, ai e përshëndeti progresin që BeH e ka realizuar në sferën e mbrojtjes, duke e përfshirë edhe miratimin e dokumentit “Shqyrtimi i mbrojtjes”, me të cilin definohet zhvillimi i Forcave të armatosura të BeH-së në periudhën e ardhshme.

Stoltenberg ju bëri thirrje liderëve të Bosnjës që të angazhohen shtesë në këtë plan dhe t’i vazhdojnë reformat e filluara, duke e potencuar gatishmërinë e NATO-s për ta aktivizuar Planin veprues për anëtarësim (MAP) në BeH, menjëherë pas plotësimit të kushteve të domosdoshme.

“BeH është kandidate për anëtarësim në NATO dhe i keni instrumentet e nevojshme për progres në këtë plan. NATO është e gatshme për aktivizimin e MAP, por kur prona ushtarake do të evidentohet me reforma në sferën e sektorit të sigurisë”, tha Stoltenberg.

Ai shfaqi falënderim për pjesëmarrjen e BeH-së në misionin paqësor në Afganistan dhe për kontributin e vendit në luftën kundër terrorizmit.

Exit mobile version