NATO-ja i merr shumë seriozisht përpjekjet ruse për të ndërhyrë në proceset zgjedhore në vendet e tjera, përfshirë këtu Spanjën gjatë krizës katalanase, deklaroi sot në Madrid sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.
“Ne kemi parë një rritje të ndjeshme të përpjekjeve për të ndërhyrë në kriza politike të brendshme. Ato janë rritur në volum dhe në kompleksitet”, deklaroi Stoltenberg për median pas disa takimesh me shefin e qeverisë spanjolle Mariano Rajoy dhe ministren e Mbrojtjes, Maria Dolores de Cospedal.
“Ne kemi diskutuar mbi raportet që ne kemi parë për përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në shumë vende, përfshirë këtu edhe Kataloninë”, vazhdoi ai.
“Çdo ndërhyrje nga jashtë është e papranueshme. Ne i marrim shumë seriozisht dhe është për këtë arsye që NATO-ja ka përforcuar mbrojtjen e saj kibernetike”, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Qeveria spanjolle dënoi në nëntor një fushatë dezinformomi mbi krizën e shkaktuar nga përpjeka e partive indipendentiste katalanase për t’u shkëputur nga Spanja, me mesazhe në rrjetet sociale me prejardhje kryesisht nga territori i Rusisë, por gjithashtu edhe Venezuela. /kp/Telegrafi/