Telegrafi

Stoltenberg: NATO duhet të ruajë superioritetin teknologjik të saj

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi sot se vendet e Aleancës Veri-Atlantike duhet të jenë të kujdesshme ndaj kërcënimit që vjen nga qasja e lirë në teknologjitë “kritike” perëndimore nga ana e Kinës dhe Rusisë.

Ai këto komente i bëri në hapjen e konferencës së rregullt vjetore të NATO-s mbi kontrollin e armëve, çarmatimin dhe mospërhapja e armëve të shkatërrimit në masë, ku tha se teknologji të tilla mund të përdoren për zhvillimin e sistemeve të reja të armëve, si dhe për rritjen e potencialit raketor.

“Është shumë e rëndësishme për NATO-n që të ruajë superioritetin teknologjik, sepse garanton sigurinë. Tani ajo epërsi përballet me sfida, sepse Kina po bën investime të mëdha në teknologjitë e reja që mund të kontribuojnë në krijimin e llojeve të reja të armëve. Ne gjithashtu shohim lloje të reja të armëve në Rusi … Sot, ne duhet të kemi frikë nga kërcënime të tilla kur teknologjitë kritike janë lehtësisht të disponueshme për vendet që mund t’i përdorin ato për të krijuar sisteme të reja armësh,” tha Stoltenberg.

Ai vuri në dukje se NATO e konsideron atë një platformë të shkëlqyer për shqyrtimin e kërcënimeve të tilla.

“Kjo është e nevojshme për zhvillimin e një mirëkuptimi të përbashkët kur bëhet fjalë për teknologjinë dhe ruajtjen e përparësisë teknologjike, e cila gjithashtu parashikon që ne nuk duhet të ndajmë gjithçka me vendet e tjera pa vlerësuar pasojat e zhvillimit të sistemeve të reja të armëve”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO -s.

Ai shtoi se NATO është gjithashtu e shqetësuar për rritjen e potencialit raketor të Kinës dhe Rusisë dhe bën thirrje për më shumë transparencë.

“Rusia vazhdon të injorojë dhe thyejë rregullat. Rusia po zhvillon aftësitë e saj bërthamore, duke përfshirë raketat balistike ndërkontinentale,” vuri në dukje Stoltenberg.

Sipas tij, Rusia “ka vënë në funksionim sisteme hipersonike, ka testuar raketa balistike të lëshuara nga ajri dhe raketa lundrimi me fuqi bërthamore, ndërsa Kina po zhvillon me shpejtësi potencialin e saj bërthamor, dhe se e gjithë kjo po ndodh pa asnjë kufizim dhe transparencë dhe shkakton shqetësim.”

Stoltenberg shtoi se transparenca dhe parashikueshmëria “korrespondojnë me interesat e përbashkëta”.

Konferenca e NATO-s për Kontrollin e Armëve, Çarmatimin dhe Mos-Përhapjen e Armëve të Shkatërrimit Masiv është mbajtur që nga viti 2004. Ky forum ndërkombëtar zakonisht mbledh së bashku më shumë se 150 pjesëmarrës nga rreth 50 vende dhe lejon zyrtarët dhe ekspertët të shkëmbejnë pikëpamje mbi kërcënimet e armëve të shkatërrimit në masë dhe metodat e çarmatimit.