Site icon Telegrafi

Stoltenberg: NATO duhet të përballet me rritjen e Kinës

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u bëri thirrje vendeve anëtare që t’i përgjigjen rritjes së ndikimit të Kinës.

Në Bruksel, mbahet sot një samit i aleancës ushtarake, në të cilin po merr pjesë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Udhëheqësit e NATO-s pritet të lëshojnë një deklaratë, në të cilën Kina do të etiketohet si rrezik për sigurinë.

“Ne nuk po hyjmë në një Luftë të re të Ftohtë dhe Kina nuk është kundërshtari ynë, as armiku ynë”, u tha Stoltenberg gazetarëve në selinë e NATO-s, përpara samitit.

“Por, ne duhet t’i trajtojmë së bashku, si aleancë, sfidat që ngritja e Kinës paraqet për sigurinë tonë”, tha ai.

Mesazhi i tij pason një deklaratë të lëshuar nga grupi i vendeve më të industrializuara G7, i cili u takua në Mbretërinë e Bashkuar, javën e kaluar.

G7 e akuzoi Kinën për shkelje të të drejtave të njeriut dhe kërkoi hetime transparente të origjinës së coronavirusit.

Në përgjigje, Kina e akuzoi G7-ën për “gënjeshtra, thashetheme dhe pretendime të pabazuara”.

Në agjendë të diskutimeve të NATO-s pritet të jetë edhe tërheqja e trupave nga Afganistani, pastaj marrëdhëniet me Rusinë, shpenzimet në mbrojtje e të tjera.

Biden po merr pjesë në një samit të NATO-s për herë të parë prejse ka marrë detyrën e presidentit, në muajin janar.

Ai ka shprehur mbështetje për aleancën dhe është zotuar për forcim të bashkëpunimit.

Paraardhësi i tij, Donald Trump, shpesh e ka denigruar NATO-n dhe ka kërcënuar me tërheqje nga aleanca e sigurisë. /rel/

Exit mobile version