Telegrafi

Stoltenberg: Jeni të mirëseardhur në NATO, por çështja e emrit duhet të zgjidhet

NATO do ta ftojë Maqedoninë të bashkangjitet si vend anëtar i saj pasi që të arrihet zgjidhje e pranueshme për të dyja palët në kontestin e emrit me Greqinë, tha Sekretari i përgjithshëm ii NATO-s në intervistë për AIM gjatë arritjes së tij për vizitën e parë zyrtare në Maqedoni, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në pyetjen nëse Maqedonia do të pranojë ftesë për anëtarësim në samitin e NATO-s në Bruksel edhe pa zgjidhjen e çështjes së emrit, nën referencën e përkohshme IRJM, Stoltenberg u përgjigj se qëndrimi i Aleancës mbetet i pandryshuar.

“Jo. Pozicioni i NATO-s mbetet i pandryshuar. Të gjitha vendimet e NATO-s bazohen në konsenzus ndërmjet gjithë anëtarëve të saj. Në samitin e Bukureshtit dhe në samitet vijuese, ata u dakorduan që NATO do ta ftojë shtetin tuaj të bashkangjitet pasi që të arrihet zgjidhje e pranueshme për çështjen e emrit në kuadër të OKB-së”, tha Stoltenberg.

Ai i përshëndeti negociatat e rifilluara mes Maqedonisë dhe Greqisë, por shtoi se nuk është nën kompetencat e tij të zgjidhë çështje të emrit./Telegrafi/