Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është shprehur i sigurt se Qeveria e re e Britanisë do të mbetet e angazhuar me aleancën ushtarake, pavarësisht daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe dorëheqjes së kryeministrit David Cameron.
Partia Konservatore e Britanisë është në kërkim të liderit të ri për të udhëhequr negociatat për daljen nga BE-ja, pasi Cameron ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje në vjeshtë.
“Brexit (v.j.dalja e Britanisë nga BE-ja) do të ndryshojë marrëdhënien midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, por nuk do të ndryshojë pozicionin e Britanisë brenda NATO-s”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media në Bruksel.
“David Cameron dhe Qeveria britanike e kanë bërë të qartë se do të vazhdojnë të punojnë si aleat i përkushtuar. Jam i sigurt se qeveria e re në Mbretërinë e Bashkuar do të vazhdojë këtë linjë”, ka thënë Stoltenberg.
“Kjo është e rëndësishme sepse Mbretëria e Bashkuar është ofruese e madhe e sigurisë në Evropë dhe ofruese e sigurisë për aleancën e NATO-s”, ka shtuar shefi i NATO-s.
Britania, si fuqi bërthamore me ulëse të përhershme dhe të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka rol të rëndësishëm në NATO dhe në politikën e jashtme dhe të mbrojtjes të BE-së, transmeton rel.
NATO mban këtë javë një samit të rëndësishëm në Varshavë të Polonisë.