Momcillo Stojiq (1961) nga Poneshi i Gjilanit është marrë në pyetje nga Prokuroria Themelore të martën. për të sqaruar detaje rreth vrasjes së Adem Byqmetit më 17 janar 2013.
Stojic, sipas prokurorit të rastit Afrim Shefkiu e ka mohuar veprën në tërësi.
“Unë s`kam lidhje me vrasjen e as që kam ndihmuar në vrasjen e Adem Byqmetit. I njoh të dy të dyshuarit, meqë njëri është djali im e tjetri djali i vëllait, por s`kam lidhje me vrasjen”, ka deklaruar Stojic, transmeton rajonipress.
Ai nuk e ka mohuar gjetjen e revoles së tij në vendin e ngjarjes për të cilën ka thënë se është e tija , por është marrë nga djali i tij Ivani pa dijeni e tij.
Për vrasjen e Adem Byqmetit pritet të merren në pyetje edhe dëshmitarë të tjera, jashtë dy të dyshuarve kryesor , Radovan Stojic dhe Ivan Stojic, të cilët u vetëdorëzuan në Gjykatën e Kragujevcit, më 21 janar 2013, ku edhe u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Në Prokurori pritet të jep deklaratë edhe pala e dëmtuar dhe njëkohësisht i plagosur në ditën kritike Ramiz Byqmeti.
Ndryshe, Adem Byqmeti (1973) ishte vrarë më 17 janar 2013 tek vendi i quajtur “Mali i Letevcit” në Ponesh derisa po prente dru me të vëllain Ramizin, i cili gjithashtu ishte plagosur rëndë. /Telegrafi/