Deputetja nga radhët e OBRM-PDUKM-së, Dafina Stojanovska thotë se interpelanca ndaj Talat Xhaferit nuk është vetëm për shkak se është drejtuar në gjuhën shqipe në Bruksel, por edhe për arsye tjera.
“Nuk respektohet as Kushtetuta, as Rregullorja. Po keqpërdoret flamuri evropian, u rrezikua shëndeti ynë kur u sollën deputetët e infektuar për votim. Jemi të vetëdijshëm se nuk ka asnjë reagim nga institucionet, por Rregullorja na mundëson të kërkojmë interpelancë”, tha Stojanovska.
Sipas saj, rezoluta për linjat e kuqe nuk ka të bëjë me marrëdhëniet e brendshme në Maqedoni në plan ndëretnik, por të përforcohet statusi në raport me bisedimet për eurointegrimet.
“ASH dhe AAA nuk deklarohen, BDI është me pushtetin, por kanë qëndrime të kundërta në lidhje me këtë çështje. Mendoj se Aleanca për Shqiptarët po taktizon, luajnë politikë”, tha Stojanovska për TV21./Telegrafi/