Telegrafi

Stojançe Angellov rikthehet në MPB (Foto)

Ish gjenerali i policisë, Stojançe Angellov, është rikthyer në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Vendimin e tij për rikthim ai e ka bërë publik në llogarinë e tij në Facebook.

Angellov thotë se është konsultuar me anëtarët e koalicionit “OBRM për Maqedoninë” dhe se ka pranuar ofertën e kryeministrit Zoran Zaev, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Pas reflektimit të gjatë, në pajtim me këshillat e udhëheqësisë së partisë “Dinjiteti”, pasi informova kryesinë e koalicionit “OBRM për Maqedoninë”, vendosa të pranojë propozimin e kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrit Oliver Spasovski që të rikthehem në MPB”, shkruan Angellov.

Ai njofton se së bashku me të në MPB, rikthehet edhe gruaja e tij Jasminka Angellova, e cila në MPB ka punuar për 14 vite, deri në mars të 2015, ku siç njofton Angellov, si pasojë e sjelljes jokorrekte ndaj saj, ajo vetë ka dhënë dorëheqje.

Angellov shkruan se në MPB rikthehet në bazë profesionale dhe se me përvojën e tij si ish gjeneral policorë do t’i ndihmojë Spasovskit që Ministrinë e Punëve të Brendshme ta kthejnë në një institucion të ndershëm dhe profesional./Telegrafi/