Telegrafi

Stoilkovski: Raporti LSDM – BDI është katastrofik për shtetin dhe popullin

Zëdhënësi i OBRM-PDUKM-së opozitare, Naum Stoilkovski, sonte në Programi 200 me Nazim Rashidin në Alsat, tha se të gjithë emrat për të cilët partia thotë se kanë pasuri të padeklaruar, çojnë në Qeveri, gjegjësisht në LSDM dhe BDI.

“Të gjithë emrat çojnë te koka e oktapodit, dhe ju e dini ku është oktapodi, ai është në qeveri. Të gjitha aferat që arrita t’i fus në këtë intervistë, të gjitha të çojnë te LSDM dhe BDI-ja. Ky kombinim është katastrofik për Maqedoninë dhe për popullin e Maqedonisë, për të gjithë. Ne po zhytemi në varfëri, në krim dhe korrupsion dhe në pandëshkueshmëri”, tha Stoilkovski.

Ai theksoi se institucionet kompetente në vend kanë dështuar kur bëhet fjalë për aferën e shpallur nga kjo parti opozitare, e cila ka të bëjë me pasurinë e padeklaruar nga zyrtarë të caktuar.

Siç vlerëson Stoillkovski, Komisioni Anti-korrupsion nuk do të jetë në krye të detyrës as kësaj radhe.

“Tani e tutje supozoj, shpresoj të gaboj, se Biljana Ivanovska do të dalë dhe do të thotë, se nuk ka kapacitet, së dyti – do t’i akuzojë sërish qytetarët për korrupsion, gjegjësisht për ekzistencë të një lloj miti dhe tradite të dhënies së ryshfetit” ka thënë Stoillkovski.