Site icon Telegrafi

Stoilkoviq do ta përmirësojë tekstin ku shkruan “Kosova dhe Metohija”: Si serb kurrë nuk do ta pranoj Republikën e Kosovës

Zv.kryeministri serb në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoilkoviq, ka thënë se është bërë gabim në lidhje me postimin e tij në rrjetet sociale, në të cilin Republikën e Kosovës e quan “Kosova dhe Metohija”. Ai tha se do ta përmirësojë gabimin, megjithatë theksoi se si përfaqësues i bashkësisë serbe, nuk do ta pranojë Republikën e Kosovës.

Soilkoviqi tha se si përfaqësues qeveritar, do ta respektojë vendimin e Maqedonisë së Veriut për njohjen e Republikës së Kosovës.

“Është tekst i marrë nga faqja ime në Facebook, dhe asgjë më shumë. Shërbimi që i udhëheqë ato aktivitete në ministri e ka marrë atë tekst nga Facebook, dhe ati tekst do të rregullohet në mënyrën më të mirë të mundshme në periudhën në vijim. Si pjesëtar i bashkësisë serbe, nuk do ta pranojmë asnjëherë atë zgjidhje, por si obligim ligjor do ta pranojmë”.

“Ajo që dua të sqaroj është se asnjëherë nuk do të lëvizim nga qëndrimi se për ne ajo gjithmonë do të jetë ‘Kosova dhe Metohija’, me rezuolutën e Këshillit të Sigurisë të OKB-së. Megjithatë, si zv.kryeministër dhe ministër për Marrëdhënie në mes Bashkësive, do t’i respektojë obligimet ligjore dhe respektoj vendimin e Qeverisë së Maqedonisë së sjellë në lidhje me këtë çështje”, tha Stoilkoviqi për TV21.

Lexo po ashtu Mexhiti për Stoilkoviqin: Nuk e mohojmë që është serb, nuk pretendojmë ta bëjmë shqiptar

Për postimin e Stoilkoviqit në rrjetet sociale, ka folur edhe zv.kryeministri i parë në Qeverinë e RMV-së Izet Mexhiti, i cili tha se Qeveria e re e ka dëshmuar bashkëpunimin e mirë me Kosovën, ndërsa theksoi se “nuk pretendojnë që Stoilkoviqin ta bëjnë shqiptar”.

“Nuk e mohojmë që Stoilkoviqi është përfaqësues i serbëve, nuk pretendojmë ta bëjmë shqiptarë. Por dallimi mes neve dhe atyre të kaluarve është se ata me vetiniciativë u bënë pjesë e Open Ballkanit që nuk e njihte Kosovën. Takimi i parë i kryeministrit me Mickoskin ka qenë me Kurtin, mbledhja e parë e qeverisë së re ka qenë me Qeverinë e Kosovës në Prishtinë. Pra nuk mund të vihen paralele mes një individi dhe komplet qeverisë së re”, tha mes tjerash Mexhiti.

Exit mobile version