Site icon Telegrafi

Stohlker u kërkon falje kosovarëve

"Për dy fjalët e rënda ndaj kosovarëve, unë u kërkoj falje në të gjitha mënyrat", ka thënë për “20min”, transmeton “AlbInfo”.
Ai ka thënë se kuptohet që nuk ka të bëjë me të gjithë kosovarët, por për individë që janë të ndikuar negativisht nga krimi.

Fyerjet e Stöhlkerit mund të jenë të dënueshme. Kodi Penal i Zvicrës e ndalon denigrimin publik të një grupi njerëzish për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Kështu ka thënë Marcel Niggli, profesor i të drejtës penale në Freiburg, njëherësh edhe ekspert në fushën e antiracizmit.

"Në këtë rast, është aq e qartë se prokurorët duhet të ngrenë një padi penale.", ka thënë profesori për “20min”.

Fyerjet më të rënda publike, deri më tash, pa dyshim, kanë ardhur nga kompania “Stöhkler & Partner”. Pronari i saj, Fider Stohkler, ka lansuar fyerjet më poshtëruese dhe më të neveritshme në adresë të shqiptarëve. Ai citohet t’i ketë quajtur kosovarët si njerëz “të egër, të pakulturuar, asocial dhe të pacivilizuar”.Madje, ai ka shkuar aq larg sa, siç citohet, i ka quajtur shqiptarët “jashtëqitje”.

Stohkler ka kritikuar politikat zvicerane ndaj emigrantëve, sidomos ndaj shqiptarëve.

“Po të me jepej mua rasti, do ta ndiqja nga Zvicra secilin kosovar”, citohet të ketë thënë ai.

Këto reagime në opinionin publik rezultuan pas akteve të fundit kriminale të kryera nga shqiptarët në Zvicër. Megjithatë, komuniteti i shqiptarëve është distancuar nga çfarëdo akti kriminal i kryer nga bashkëkombësit e tyre duke kanë kundërshtuar edhe fajësimin kolektiv të shqiptarëve për krimet e kryera nga individë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version