Telegrafi

Sting shet të drejtat e muzikës së tij për një shumë që besohet të jetë ndërmjet 250 dhe 300 milionë dollarë

(Foto: Instagram/theofficialsting)

Muzikanti britanik, Sting, ka bërë të ditur se i ka shitur të gjitha këngët e tij, përkatësisht të drejtat për muzikën e tij, duke përfshirë materialet solo dhe ato të grupit “The Police”.

70-vjeçari veprimtarinë e tij muzikore ia ka shitur shtëpisë incizuese Universal Music Group (UMG) për një shumë që besohet të jetë ndërmjet 250 dhe 300 milionë dollarë, ndërsa ka thënë se kishte për qëllim që punën e tij jetësore ta jepte në duar të sigurta.

“Sting është gjeni në shkrimin e këngëve, muzika e tij përshkon kulturën globale. Jemi të nderuar që na ka zgjedhur neve si publikues, ndërsa puna e tij si kantautor dhe interpretues do të mbetet në familjen e UMG-së”, ka deklaruar drejtori i UMG, Sir Lucian Grainge.

Më tej, ai ka shtuar se ndihet i privilegjuar për bashkëpunimin me Sting për më shumë se dy dekada dhe se është i kënaqur që ky bashkëpunim është zgjeruar.

Lexo po ashtu Sting në bisedime për të shitur katalogun e tij të këngëve për një shumë marramendëse prej afro 250 milionë eurosh

“Gjatë gjithë karrierës time, kam shijuar një bashkëpunim të gjatë dhe të suksesshëm me UMG-në, si partneri im publikues nën udhëheqjen e Lucian, kështu që dukej e natyrshme të bashkoja të gjithë në një shtëpi që i besoj ndërsa kthehem në studio gati për një kapitull të ri.

“Është shumë e rëndësishme për mua që puna ime ka një shtëpi, në të cilën do të vlerësohet dhe respektohet, jo vetëm duke lidhur fansat ekzistues të vjetër në mënyra të reja, por edhe duke i prezantuar këngët e mia për audiencën, muzikantët dhe brezat e rinj”, është shprehur Sting. /Telegrafi/