Ministria e Financave ka marrë vendim që të bëjë ulje të normave të interesave prej 15 për qind në 11, për të gjithë ato biznese që vonohen në pagimin e taksave. Kështu ka bërë të ditur, Ministri i Financave, Avudllah Hoti, në 15 vjetorin e themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, ku përveç tjerash në këtë përvjetor u bë promovimi i punës së ATK-së për këto vite.
Hoti po ashtu bëri të ditur se ata për të ardhmen po planifikojnë rolin e administratës tatimore dhe ta bëjnë atë organizatën kryesore të të hyrave buxhetore. Gjithashtu, ata do të bëjnë përpjekje që doganat të bashkohen me Administratën Tatimore në një organizatë të vetme të mbledhjes së të hyrave.
Hoti theksoj se kjo ulja është bërë në mënyrë që bizneseve të ju bëhet sa më e lehtë puna e tyre, i cili po ashtu tha se së shpejti do të ketë edhe masa të tjerë lehtësuese për bizneset. “Në përputhje me kompetencat ligjore që unë kam, unë kam marrë vendim për uljen e normave të interesave për vonesat në pagesat e taksave prej 15 për qind në 11 për qind dhe besoj që kjo është një masë plotësuese për të gjitha ato biznese që për çfarëdo arsye nuk kanë mundur t’i përmbushin obligimet ndaj shteti të Kosovës. Në ditët në vijim ne do të dalim me masa tjera lehtësuese për të mbështetur bizneset… Me këtë rast dua t’i njoftoj bizneset se ne nuk do të vendosim asnjë tatim të ri ose nuk do të ndërmarrim asnjë veprim që do të rriste ngarkesën ndaj tyre, përveçse kërkojmë bashkëpunim shumë të ngushtë për të zvogëluar ekonominë joformale dhe atë jo përmes ndëshkimeve, por përmes stimujve qe bizneset të kenë më të lehtë të funksionojnë brenda bizneseve”, tha Hoti.
Ai po ashtu bëri të ditur se zyrtarët e kësaj administrate dhe të doganave e kanë mbështetjen e tyre të plotë, dhe ata të cilët sulmojnë apo kërcënojnë ata, do të përballen me organet. “Jam i vetëdijshëm që puna e tyre është shumë e vështirë, jo rrallë herë këta zyrtar po kërcënohen, po shantazhohen ose po sulmohen ashtu siç ndodhi të premten me dy zyrtarë të doganave në një terminal në Podujevë. Unë dëshiroj t’i siguroj të gjithë zyrtarët tatimor edhe ata të doganave që do të kenë mbështetjen e të gjitha organeve të shtetit të Kosovës për të kryer punën ashtu siç duhet. Askush nuk mund të kërcënoj ose sulmoj çfarëdo zyrtari tatimorë, personat që në çfarëdo forme fyejnë, kërcënojnë ose sulmojnë zyrtarët tatimorë ose doganave duhet ta dinë se bëjnë krim dhe do të përballen me organet e shtetit”, tha ai.
Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, tha se ata gjithmonë kanë pasur bashkëpunim të mirë me tatimpaguesit dhe se krejt ajo çfarë kanë arritur ata, është meritë e tyre. “Fal një bashkëpunimi me tatimpaguesit kemi arritur që rreth 85 për qind të tatimeve të jenë deklarime vullnetare, gjë që dëshmon se kemi arritur të theksojmë misionin tonë për mbushjen dhe deklarimit vullnetar dhe njëkohësisht për t’i ofruar tatimpaguesve, Kosovës shërbime sa më cilësore duke i ndihmuar ata t’i kuptojnë plotësisht përgjegjësish e tyre ligjore dhe të zbatojnë ligjin me integritet dhe drejtësi. Prandaj një falënderim i veçanet shkon për të gjithë ata participues të cilët vazhdimisht kontribuojnë në arkën e shtetit tonë dhe të cilët në të njëjtën kohë ndikojnë në zhvillimin ekonomik, përmirësimin e mirëqenies sociale të secilit qytetar të Kosovës”, ka thënë Haliti.
Në fillim të themelimit, ATK ka qenë vetëm një administratë e vogël, ndërsa sot kjo Administratë Tatimore është bërë një organizatë e konsoliduar shtetërore që funksionon brenda Ministrisë së Financave për mbledhjen e të hyrave.
Sot mbi 700 zyrtar të administratës tatimore mbledhin mbi 300 milionë euro të hyra tatimore për buxhetin e Kosovës, e që sipas zyrtarëve të ATK-së, tendencat për të ardhmen e afërt janë që këto të hyra të rriten shumë më tepër. /Telegrafi/