Rexhep Kryeziu
Ekspert verarie, Zvicër
Stilet e verërave, nga regjione të ndryshme brenda trojeve shqiptare, arsyeshëm shijojnë ndryshe, por parimisht jo vetëm për arsye gjeografike. Prodhuesit gjithashtu luajnë një rrol të madh në përgatitjen e verës ashtu siç dëshirojnë të jetë vera dhe kjo mund të sjellë rezultate të ndryshme në kulturën e përbashkët shqiptare.
Disa nga fshehtësitë e botës së verës mund te shpjegohen me zhvillimet historike të vreshtarisë brenda trojeve tona. Përkundër bashkëpunimit dhe bashkërenditjes së prodhimit të verëtarëve shqiptar, mund të dallohen haptas nga vjen vera bazuar nga shija e tyre, si për shembull nga Anadrinia – Kosovë, nga Mirdita, nga Dibra, nga bregdeti shqiptar, nga breg liqeni i Shkodrës apo Zadrimja, nga Berati, Korça e tj. Thënë ndryshe, Terroir shqiptare apo shpjeguar në shqip termin Terroir, Toka, ndikimi i klimës (mezo dhe mikroklimës), pozitat gjeografike dhe mjeshtëria e verëtarit, luajnë një rol të madh e mbi të gjitha rol të madh me ndikim në shijet e verërave, luajnë dhe grupet e tharmeve natyrore që vijnë bashkë me rrushtë nga vendndodhja e vreshtave ne kantinën e verës.
Problemi më i madh i shumicës së konsumatorëve në vendin tonë është moskuptimi ose mospranimi i diversifikimit të stileve të verës së kuqe.
Duke ditur që vera bëhet në vresht, e cilësia e rrushit tregon se çfarë ndërhyrje në përpunimin verës do bëjmë në vazhdimësi gjatë prodhimit, ndikon shumë në mënyrën e stilit të verës së prodhuar, një stil sa më tradicional apo me ndërhyrje të shumta. Por ndikojnë dhe shume faktorë që nuk janë në dorën e njeriut.
Nëse dëshirojmë të zbulojmë se cila verë çfarë shije ka, zgjedhja e ngjyrës së verës, kultivarit të rrushit ose vendit të origjinës, shumë herë kjo nuk është e mjaftueshme. Ne kemi caktuar katër stile kryesore për disa verëra nga prodhues shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova. Ne provuam të bënim përzgjedhjen më të lehtë dhe të përshkruanim shijen e këtyre verërave kryesisht nga kultivar autokton.
Jo të gjitha verërat janë krijuar barabartë. Jo të gjitha verërat janë të njëjta. Kjo është arsyeja pse të gjitha verërat nga prodhuesit shqiptar vlerësohen në stile të caktuara verërash. Informacionet në lidhje me aromat/erëmimet, shijet, detajet e verëzimit, plakjes dhe potencialit të plakjes sigurojnë orientimin e stilit të një vere. Klasifikimi i verërave të bardha, rozë / trëndafil dhe të kuqe përcaktohen në disa stile prandaj dhe e bënë më të lehtë zgjedhjen e ngjyrimit.
Stilet e verës varën nga këta faktor: Klima dhe pozicioni i vreshtës; toka e vreshtës dhe menaxhimi i tokës; shkalla e pjekjes së rrusheve; Cilësia dhe shëndeti i rrusheve; kultivari si dhe ndërhyrjet në kantinë.
Klima si faktor me ndikim ne stilet e verës
Për të prodhuar verëra me cilësi të lartë, klima, toka dhe kultivari i rrushit duhet të ndërveprojnë. Nga njëra anë, kjo ka të bëjë me klimën e përgjithshme, por edhe kushtet klimatike te rajoneve vreshtare të vendit tonë. Brenda këtyre zonave vreshtare ka zona me klima të freskëta, por dhe zona me klima mesatare kontinentale (Kosovë) si dhe zona me klimë mesdhetare bregdetare (Shqipëri). Prandaj stilet e verërave shqiptare janë të larmishme nga i njëjti kultivar në varësi të klimës rajonale.
Toka si faktor me ndikim ne stilin e verës
Nëse mendojmë për prodhimin e verës cilësore, atëherë duhet të merremi me termin francez terroir me ndikim ne stilin e verërave. Këto terma i referohen asaj që është thelbësore për karakterin e verës në stil të caktuar. Sot, shumë theks i veçantë i kushtohet kultivarit të rrushit. Dikur ishte ndryshe, deri ne shekullin 19 -të dhe shpesh në shekullin e 20 -të, shpesh bëheshin nga shumë kultivar rrushi. Këta kultivar rrushi nuk u vendosën si një Cuvée në bodrum, por përkundrazi ato qëndruan së bashku në të njëjtin vreshtë. Shumë kultivar të përziera në një vreshtë ishin standarde për një kohë të gjatë. Për prodhuesin e verës atëherë, zgjedhja e tokës së duhur për vreshta ishte shumë më e rëndësishme sesa kultivarët e rrushit. Prandaj një aspekt thelbësor me ndikim në stilin e verës është toka e vreshtës. Por çfarë është në të vërtetë toka? Ajo që është referuar gjuhësisht si njësi e një toke, është në fakt një përzierje ose përbëhet nga disa shtresa me përmbajtje të ndryshme mineralesh / ushqim për hardhinë. Zonat vreshtare shqiptare, përveç klimës, përmbahen dhe me tipe të tokave të ndryshme me ndikim në stile të ndryshme të verës po nga i njëjti kultivar. Ndikim të madh ka dhe përpunimi apo jo i tokës së vreshtës.
Prandaj nuk janë vetëm klima dhe toka nga të cilat varen aromat e një kultivari rrushi me ndikim në stilin e një vere. Puna në vresht gjithashtu ka një ndikim të madh në karakterin e verës së mëvonshme; sepse mund të prodhoni një kultivar rrushi me 150 hektolitra për hektarë ose me 40 hektolitra për hektar. Në disa rajone shpesh është vetëm 20 ose më pak hektolitra për hektar. Sa më pak të vjel, aq më i koncentruar dhe shpesh më komplekse janë shijet dhe erëmimet në verëra. Kultivaret e fuqishme në veçanti, siç është Vrançi, Vloshi, Serini ose Kallmeti, duhet të formohen në vresht duke lejuar vetëm një sasi të caktuar rrushi për hardhi për verëra të stilit të fortë. Rrushtë mund të vilen herët para ose në procesin e pjekjes, ose madje të vilen më vonë pas një pjekje relativisht të gjatë në kohë. Koha e vjeljes është gjithashtu vendimtare për karakterin me ndikim në stilin e një vere.
Kultivari i rrushit me ndikim në stilin e verës
Midis dhjetëra kultivarëve të rrushit autokton nga vendi ynë ka variante shumë të ndjeshme dhe ato që mund të përballojnë një sërë kushtesh. Ato janë ’lojtarët’ e rajoneve tona vreshtare: Shesh i zi apo Shesh i bardhë, janë kultivar më të rëndësishëm të rrushit në Shqipërinë e mesme. Edhe nëse shumë kultivar rrushi mund të përballen me vende të ndryshme, verërat shijojnë dukshëm të ndryshme në varësi të mjedisit. Një verë Cerruje, një Pulësi apo një Shesh i bardhë nga një vend i ftohtë me gur gëlqeror, për shembull, është me thartësi freskuese dhe erëmim limoni. Nëse këto verëra për të njëjtit kultivar vijnë nga tokat e thella dhe nga një vend i ngrohtë, atëherë verërat e tyre janë shumë më të harlisura, më të gjera, më të verdha në ngjyrë, më frutore në shije dhe erëmirim. Dhe ashtu siç është me Cerrujen, sheshin dhe Pulsin, edhe kultivaret e tjera të rrushit gjithashtu e tregojnë këto stile në verërat e tyre. Sidoqoftë, ka edhe kultivar që japin cilësi vetëm në kushte shumë specifike, si psh, Vloshi, Vrançi, Kallmeti, Dibraku dhe Debini. Për shembull, Vloshi dhe Sheshi dihet se kanë nevojë për një vend pranë detit, ku toka ruan shumë ujë, ku era e freskët nga deti fryjnë nëpër vreshta dhe netët janë të freskëta dhe të lagështa. Vloshi ka nevojë për nxehtësinë e ditës, e që kjo ndodhë vetëm në klima mesdhetare shqiptare. Vrançi ka nevojë për ngrohtësi nga toka dhe moti, të jetë e mbrojtur nga erërat e forta, e mbjellë ekskluzivisht në sipërfaqe jugore. Prandaj varësia e stilëve të verës nga këta kultivar është e shumëlarmishme.
Trojet shqiptare me traditë verëtarie dhe stilet e verërave në prodhim
Kosova me stilet e saja të verërave të kultivarëve autokton
Tradita e verës në Kosovë kthehet në antikitet. Vreshtaria ishte veçanërisht në lulëzim në vitet 1980: mbi 40 milion litra verë verëbërësit kosovarë eksportonin në të gjithë botën çdo vit.
Në veçanti Rajoni përreth Rahovës ofron kushte optimale për verë me cilësi unike: Me mbi 250 ditë me diell në vit dhe një lartësi prej 300 deri në 500 metra, prodhohen verëra të cilësisë së lartë dhe me stile të ndryshme. Verërat Kosovare në erëmim frutore të freskëta, shijojnë këndshëm në gamë, të buta dhe bëjnë përshtypje me një përfundim në stil të verërave të forta alkoolore dhe të gjata në ndjenjë. Stilet e verërave nga Kosova janë të përpunuara për çdo rast dhe për çdo pjatë:
1. Verëra të stilit të lehtë lulore – frutore;
2. Verëra të stilit mesatar me shije dhe amsime fruhtore mineralike;
3. Verërat e stilit gjysmë të forta frutore – mineralike dhe alkoolore, barrique me erëmim lisi;
4. Stilet e verërave të forta alkoolore të maturuara në voza lisi dhe të thella në ngjyrë, sa të gjëra në gamë po aq të gjata në shije dhe në ndjenjë, me amsime të frutëve të thata, animalike, mineralike, të buta, të fuqishme tanike e të hidhura.
Në Vreshtarinë Kosovare, por dhe mbarëshqiptare, krahas kultivarëve të hardhive vendore autoktone Ilirike – shqiptare, pasi që nga trojet tona janë përhapur në Gadishullin Ilirik dhe më gjerë, kultivohen dhe shumë kultivar me renome ndërkombëtare. Prandaj synimi ynë kryesor në këtë temë është të përqendrohemi në verërat e kultivarëve vendore si që janë Dibrak, Vranç, Bagrina dhe Katëroshe ne vreshtat Kosovare dhe Kultivaret Shesh i zi dhe aj i bardhë, Kallmet, Cerrujë, Debin, Pulës, Serin e tj, në Shqipëri.
Stilet e verërave të kultivarit Vranç
Kultivari rrushit Vranç është një nga hardhitë më të vjetra dhe natyrisht qëndron për verëra të kuqe me cilësi të lartë. Ky kultivar është i njohur për përmbajtje të theksuar të taninës. Kultivari Vranç me prejardhje nga Vranina është gjithashtu shumë i përhapur në Kosovë.
Vranç është pasardhës i kultivarit Kateroshe i njohur në botën vreshtare me emrat Primitivo, Zinfandel, Kratoshjia apo Kastelanski.
Verërat e kultivarit Vranç nga prodhuesit Kosovar janë të ndara kryesisht në tri stile me ndryshueshmëri varësisht nga masa prodhuese e rrushit, vendi vreshtar dhe nga përcaktimi i verëtarit në stilin e dëshiruar.
Nga këto tri stile dallohen: 1-Vera e Vrançit e stilit mesatar, 2- Verërat e Vrançit të stilit gjysmë të rënda dhe 3 – Stili i rëndë i verës Vranç. Verërat e stilit të lehtë të kultivarit vranç nuk vijnë në shprehje.
Verë Vranç e stilit të lehtë me 12% të vëllimit alkool e sjellë nga venaria kosovare në “Kosovo Market” Rheifelden CH
1 – Vera e Vrançit e stilit mesatar – Stilet e lehta të verërave të kuqe kanë trup të lehtë që këto stile duhet kërkuar te kultivaret Pinot noir, Game apo Zhamet dhe kurrsesi nuk i gjen te kultivari Vranç. Prandaj nga kultivari Vranç mund të prodhohen fillimisht verëra të stilit me trup mesatar, gjysmë të rendë dhe të rëndë.
Verërat me trup mesatar të Vrançit janë të thata, shumë pak nga to ndoshta dhe me pak përmbajtje ëmbëlsire. Përmbajtja alkoolore mund të sillet nga 12,5 deri maksimum 13% të vëllimit alkoolor. Janë verëra mrekullisht amsuese frutore, me shije të frutave të kuqe deri te manaferrave dhe boronicës. Si shembul i këtij stili janë verërat e Vrançit të prodhuara nga Venaria “Bodrumi i vjetër” (foto nr – 1) dhe Vranç “Biopak” (foto nr- 2). Përmbajtja e taninës është mesatarisht e lartë, me shije te këndshme frutore, e pëlqyer nga shumë adhurues të verës.
2 – Verërat Vranç të stilit gjysmë të rënda – Stile gjysmë të rënda të verërave të kuqe, e në këtë rast verërat e kultivarit Vranç përmbajnë nga 13,5 deri 14 % të vëllimit alkool. Prodhuesit e verërave të Vrançit në Kosovë përqendrohen më shumë në prodhimin e këtij stili, meqenëse shumica e verërave të kuqe bëjnë pjesë në këtë stil. Verërat gjysmë të rënda të kultivarit Vranç, të shkruara me termin Reserve apo jo, pa marr parasysh, këto verëra i takojnë këtij stili por me karaktere të ndryshme.
Termi Reserva kuptohet se nënkupton një verë veçanërisht të një cilësie të lartë që zakonisht lejohet të piqen në bodrum për një periudhë më të gjatë kohore.
Hardhia karakterizohet me përmbajtje të lartë sheqeri dhe për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit në kokrrat e rrushit, ky stil i verës Vranç është shumë alkoolor dhe i fortë në ngjyrë dhe shije. Verërat e Vrançit të ketij stili të prodhuara nga Venaritë, në foto nr – 3 – StoneCastle, 4 – Daka 5 – Labi, 6 – EKO, 7 – Tradita, 8 – Albatros, 9 – Sefa e disa tjerë, kanë një përmbajtje alkooli nga 13,5 deri 14% të vëllimit alkoolor. Janë të pasura në amsime me erëmirime të veçanta karakteristike e kultivarit si psh, erëmirim të frutit figu i thatë, manaferra e pjekur, kumbullave të thata, erë kanelle, piper i zi, erë karafili, erë bajamesh.
Fotot 1 dhe 2 – verëra Vranç të stilit mesatar. Fotot 3; 4; 5; 6; 7; 8 dhe 9 – verëra Vranç të stilit gjysmë të rëndë. Foto 10 – verë e stilit të rëndë.
3 – Verërat Vranç të stilit të rëndë – Për t`u quajtur peshë e rëndë, vera e kuqe e stilit të rëndë nga kultivari Vranç duhet të ketë mbi 14,5% të përmbajtjes alkoolore. Prandaj dhe me këtë stil të veçantë është filluar të prodhohet verë nga Venaria Labi në Rahovë të Kosovës. Për këtë stil të verës Vranç është përdorur rrush i pjekur shumë duke e vjelë shumë vonë, ose duke e terur rrushtë të varur nen strehë, ose duke e terur rrushtë të shtruar në kashtë. Shembulli i filluar në prodhimin e këtij stili është vera Labi Wine – Grand Reserva me 15% të vëllimit alkoolor, një Cuvée 75% rrush Vrançi dhe 25% rrush Cabernet Sauvignon (foto nr. 10). Është verë e fortë alkoolore, me përmbajtje të lartë taninesh dhe ekstraktiale, me një ngjyrë të thellë gurgjaku, e dendur. Verë e thatë me një shije pak sa ëmbëltuese. E gjerë ne gaumë (shijen e përgjithshme të gojës) dhe e gjatë në ndjenjë. Buqeta e saj amsuese e pasur me erëmirime në piper te zi, bajamesh dhe thelpinj arrash, frutesh të thata si figu i terur, kumbullash dhe dardhe të thata, anon në eremime të prushit të shuar dhe erëmim lisi. E pjekuruar në Barriqe druri.
Stilet e verërave të kultivarit Dibrak
Dibraku është një kultivar i lashtë, shumë i vjetër i cili bashkë me kultivarin Serin thuhet se janë përhapur nga Shirazi i Persisë dhe është përhapur më tutje në tërë Gadishullin Ilirik dhe atë pikërisht nga zona vreshtare të Dibres. Mban dhe shumë emra tjerë ku do t’i përmend vetëm sinonimet e tij në gjuhën shqipe: Rrushi i Rahovecit, Rrushi i zi i Shkupit, Zerqani, Zarqini dhe Rrushi i Velesit. Ky kultivar shumë i përhapur vetëm në zonën e Anadrinisë në Kosovë, në vitet 1800 e deri në vitet 1960 kishte mbi 3200 Ha vreshta me Dibrak. Verëzohej vetëm në përzierje me kultivar tjerë të rrushit. Por që nga vitin 2002, me verëzimin e verës nga ky kultivar ka filluar Venaria EKO – Rahovë dhe në vitin 2013 ka filluar venaria Tradita Kastrati – Malësi e vogël.
Rëndësia e Dibrakut për identitetin e verës në Anadrininë e Kosovës ishte i madh. Është një Kultivar që ka potencialin më të madh për verëra cilësore, për t’u përhapur aq sa duhet në vreshta të caktuara në Kosovë ku ky kultivar ishte një ‘lojtar’ i rëndësishëm në tregjet vendore dhe të huaja. “Amselfelder Wein” nga Kosova dikur në Gjermani, kishte namin e kultivarit Dibrak që atje konsiderohej si kultivari Sirah apo shqip Serin. Sot Kosova ka vetëm disa dhjetëra hektar me këtë kultivar, ku sipas gjasave venaria Tradita e pronarit Kastrati do të rifillojë dhe rrit sipërfaqet e vreshtave me kultivarët vendor siç janë Dibrak, Katëroshe e Kastratit, Kallmet dhe Vranç.
Vera e Dibrakut prodhohet kryesisht në dy stile:
1 – Vera e Dibrakut e stilit mesatar – është me trup të moderuar të plotë, me përmbajtje nga 11,5 deri 12,5% të vëllimit alkool, ka një aciditet pak më të ulët, një profil të qartë frutor në kufirin në mes frutave të zeza dhe të kuqe. Në të shpesh gjejmë shije qershie, manaferra dhe kajsie, tre aromat më të zakonshme.
2 – Stili gjysmë i rëndë i verës së Dibrakut – Nga rrushtë paksa më të pjekur, me përmbajtje 13 deri 14% të vëllimit alkoolor. Vërehet shije boronice, kumbulla të thata dhe shënime pikante, piper jeshil dhe të zi, erëmim thelpinj arrash dhe myshku të cilat i japin një karakter pikant. Në gojë, ai gjithashtu mund të jetë i saktë, i përcaktuar. Ndonjëherë, në varësi të tokës së vreshtës, nga mosha e verës dhe vetë preferenca e vreshtarit me vjelje të vonë të rrushit, mund të kenë tanine pak më të ashpra, por me përmirësimin e teknologjisë në kantinat e verës dhe me një reduktim të prodhimit të rrushit në vreshta, Vera e Dibrakut paraqitet shumë më e këndshme dhe më e butë e stilit përkatës të kultivarit. Stilit gjysmë të rëndë të verës nga kultivari Dibrak i përkasin Sheshi i zi nga prodhuesi EKO dhe Iliria nga prodhuesi Tradita.
Prodhuesi EKO shënoi verën e kultivarit Dibrak në etiketë me emrin Sheshi i Zi, ndërsa prodhuesi Tradita shënohet me emrin Iliria sepse donin të përdornin emrin shqip e që ende deri më sot Dibraku në Kosovë nuk është i regjistruar me emrin e tij shqip ku supozohet nga vreshtarët në dy emra: Rrush Rahove apo Dibrak. Deri më tani ky kultivar, nga prodhuesit e rrushit ne Kosovë, pa të drejtë, quhet Prokupa, ky emër i një qyteti nga rajoni vreshtar në Serbi.
/Telegrafi/