Presidenti Stevo Pendarovski e cilësoi si skandaloze kërkesën e Sofjes për të marrë pjesë në procesin e ndryshimeve kushtetuese të vendit, pasi ministri bullgar i Punëve të Jashtme Nikolai Millkov tha dje se Bullgaria dëshiron të përfshihet dhe konsultohet në procedurën për regjistrimin e bullgarëve në Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, pas së cilës MPJ-ja e Maqedonisë doli me reagim se procesi i ndryshimeve kushtetuese është çështje e brendshme e vendit, dhe si obligim lidhet me negociatat për anëtarësim në BE.
“Kërkesa nga Sofja është skandaloze. As pushtuesit nuk bëjnë kërkesa të tilla ndaj vendeve, territoreve apo shteteve që i pushtojnë. Në shekullin XXI është absurde e papërshtatshme të kërkosh të ndërhysh në proceset e brendshme politike dhe kushtetuese-ligjore të çdo vendi. Dhe mendoj se në këtë kuptim përgjigja jonë e djeshme përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ishte e saktë”, deklaroi Pendarovski.
Pendarovski thotë se koncepti i shumicës dhe pakicave në Republikën e Maqedonisë së Veriut është tejkaluar dhe ka përfunduar me Marrëveshjen Kornizë të vitit 2001.
“Në ish-Jugosllavi nuk e kemi përdorur asnjëherë termin “pakica kombëtare”, por ka pasur “kombe” dhe “kombësi”. Pse? Për të mos ofenduar askënd që jeton këtu dhe të cilët janë më pak në numër nga populli shumicë. Mendoj se është një debat i pavend dhe nuk duhet të humbim kohë”, thotë Pendarovski./Telegrafi/