Legjenda e muzikës rok, Stevie Nicks, rrëfen jetën e saj. Pjesë të shkrimit të gazetares së ditores “Guardian”, Jenny Stevens, Telegrafi sjell më poshtë.
Stevie Nicks, pandeminë e ka marrë më seriozisht se shumica. Këtë vit, rrallë e hiç ka dalë nga shtëpia e saj në Los Anxhelos. “Ndihmësja ime, Zoti e bekoftë, e vesh kostumin e saj të hazmatit dhe shkon për të marrë ushqimet, ndryshe do të vdisnim nga uria”, thotë Nicks.
Ajo u sëmur rëndë në mars të vitit 2019, duke përfunduar në kujdesin intensiv me pneumoni të dyfishtë. Pas kësaj tronditjeje, ka frikë se kontraktimi me Covid-19 mund t’i japë fund karrierës së saj si këngëtare.
Por, çfarë do të thotë për të që ta ndalë këndimin?
“Kjo do të më vriste”, thotë ajo. “Nuk është veç këndimi, sepse nuk do të performoja më kurrë, nuk do të kërcej më nëpër skenat e botës”.
Ndalet dhe psherëtin.
“Në moshën 72-vjeçare nuk jam e gatshme të heq dorë nga karriera ime”.
Kur ne flasim në telefon, është gati mesnatë në Los Anxhelos. Nuk është problem për të, meqë është “person i natës”. Vitin e kaluar, natën që u sëmur u bë gruaja e parë që u fut në “Rock and Roll Hall of Fame”, për të dytën herë – një nder ky që pasqyron suksesin e madh si një nga këngëtarët kryesorë të grupit Fleetwood Mac dhe si solo artiste, si autore dhe këngëtare e këngëve magjike për dashurinë dhe lirinë, përfshirë “Dreams”, “Rhiannon”, “Gold Dust Woman”, “Landslide” dhe “Edge of Seventeen”.
E pyes për pikëpamjet e saja shpirtërore. Thotë se përkundër frikës për karrierën e saj, “disa njerëz me të vërtetë kanë frikë të vdesin, por unë jo. Gjithmonë kam besuar te forcat shpirtërore. E di se nëna ime është përreth meje, gjatë gjithë kohës”.
Nicks ishte e lidhur me nënën e saj Barbara, e cila e shtynte të vazhdonte karrierën. Ndërsa, të drejtat e grave i ka pasë në mendje që nga vdekja e “heroinës” së saj, gjykatëses supreme Ruth Bader Ginsburg, muajin e kaluar.
“Të drejtat e abortit ishin lufta e brezit tim”, thotë ajo.
Nicks e ndërpreu një shtatzëni, në vitin 1979, kur grupi Fleetwood Mac ishte në kulmin e famës e ajo ishte në lidhje me këngëtarin e grupit “Eagles”, Don Henley. Çfarë do të thotë të jesh në gjendje ta bësh atë zgjedhje?
“Nëse nuk do ta kisha kryer atë abort, jam shumë e sigurt se nuk do të kishte Fleetwood Mac. Thjesht, nuk kisha mundësi të kem fëmijë atëherë, duke punuar vazhdimisht. Dhe, merrja shumë drogë…”! Pauzon.
“Dhe, e dija se muzika që do të sillnim në botë do të shëronte zemrat e shumë njerëzve e do t’i bënte ata njerëzit të lumtur. Ndaj thash: E dini çka? E kjo është me e rëndësishme. Nuk ka tjetër grup në botë që ka dy këngëtare kryesore, dy gra kryesore – si autore. Ky ishte misioni im botëror”.
Fleetwood Mac e solli albumin “Rumours” më 1977 – album që u bë i famshëm aq sa drama e bërjes së këngëve për të. U shit në më shumë se 40 milionë kopje dhe vazhdon të arrijë tek dëgjuesit e rinj. Veç javën e kaluar, një nga hitet më të mëdha të tij, “Dreams” (krijuar nga Stevie Nicks), u bë pjesë e një trendi viral në TikTok. Problemet e grupit u shfaqën në album: Nicks dhe i dashuri e partneri i atëhershëm muzikor, Lindsey Buckingham, u ndanë; John dhe Christine McVie, basisti dhe pianistja/këngëtarja e bendit, u shkurorëzuan; dhe, martesa e bateristit Mick Fleetwood u shkatërrua.
Nicks ka performuar që në moshën pesëvjeçare, kur gjyshi i saj, këngëtar i muzikës kantri në Feniks të Arizonës, e vinte në skenë për të kënduar. U takua me Buckinghamin në vitin e fundit të shkollës së mesme. Çifti iu bashkua grupit Fleetwood Mac më 1975. Buckingham u largua nga grupi më 1987. U kthye më vonë, por u pushua më 2018.
A ka folur me Buckinghamin qëkur u largua nga grupi?
“Jo”.
A mendon se nuk do të dilni më në skenë me të?
“Ndoshta kurrë”
Me të vërtet?
“Uh-uh”, thotë ajo, duke vërtetuar “Jo”-në.
Thotë se njerëzit gjithmonë e pyesin grupin: “A kaloni mirë”?
“Përgjigjemi: ‘Jo tamam’. Vazhdojnë: ‘Jeni miq’. ‘Jo tamam’. ‘A shiheni kur nuk jeni në turne’? ‘Jo’. Dhe kjo është kështu që nga viti 1976”.
Kur albumi i saj i parë solo, “Bella Donna,” kryesonte toplistat më 1981, ajo ia dha Buckinghamit një kopje. E la atë në dyshemenë e studios dhe kurrë nuk e dëgjoi.
“Ata ishin xhelozë. Dhe, e dini çka? Duhej të mos ma ndiente”.
“Ata” ishin në anëtarët e grupit apo producentët?
“Oh, të gjithë ata. E urrenin atë lloj besimi tek një grua”.
E kujton diskutimin me babanë, në shtëpinë familjare, menjëherë pasi doli “Bella Donna”, kur ajo ishte 35 vjeçe.
“Dhe babai tha: ‘Stevie, a nuk do të martohesh kurrë’? Nëse Christine do të ishte në dhomë me mua, do të thoshte se të dyja kemi vendosur të mos kemi fëmijë e që ta ndjekim muzën tonë muzikore nëpër botë”.
Por Nicks u martua një herë, më 1982, me ish-burrin e shoqes më të mirë të shkollës së mesme, Robin Anderson. Robina u diagnostikua me leukemi, teksa ishte shtatzënë me fëmijën e saj të parë. Vdiq menjëherë pas lindjes. Martesa e Nicksit me të burrin e saj Kim, zgjati tre muaj.
“Nuk ishte martesë. E bëmë për t’u kujdesur për djalin e saj. Tri javë më vonë, e kuptuam se nuk do të funksiononte”.
Djali i Robinës dhe Kimit, Matthew, tash e ka një vajzë që quhet sipas nënës së ndjerë.
“Robina e vogël është pesë vjeçe. Krishtlindjen e kaluar, ishte në shtëpinë time. Hyri në kuzhinë, ma kapi dorën e ë tha: ‘Eja me mua, gjyshe Stevie’. Thash me vete: ‘’A më quajti gjyshe ajo’? Atë ditë shkrova në ditarin tim: ‘Të premtoj, Robin, se do të jem gjyshja Stevie derisa vdekja të na ndajë’. Jeta i ka këto kthesa të çuditshme. I them shoqes Robin, që vdiq shumë kohë më parë: ‘Shiko përmes syve të mi, mbesën tënde’. Ishte e jotja e tani është e imja”.
Kur kthehet prapa, keqardhja e vetme e saj janë tetë vjetët e varësisë nga qetësuesi Klonazepam (shitet si Klonopin). Nisi më 1986, kur një psikiatër ia përshkroi këtë ilaç për ta ndihmuar që të flinte, pasi doli nga rehabilitimi për shkak të varësisë nga kokaina.
“Është ilaç shumë delikat; nuk e ndjen shumë, ose kështu mendon. Në shishe shkruan: ‘Merre sipas nevojës’. Është gjëja më idiote që kam dëgjuar ndonjëherë. Kështu që thoni: ‘Epo, më duhet çdo dy orë’. Është varësi në një shishe”.
Kështu, rrinte në shtëpi, shikonte filma, hante ushqim të mirë, takonte miq. Por, nuk krijonte.
“Veç ekzistoja. I largoi dramat e mia, stuhinë time, dhembshurinë, ndjeshmërinë time… gjithë gjërat që më çonin te pianoja ime. I them vetes, sot: ‘Si mbijetove tetë vjet pa dramën tënde të mrekullueshme’? Kthehem prapa e mendoj: Çfarë mund të kisha bërë gjatë asaj kohe? Një album të Fleetwood Mac ose një solo album. Mund të isha martuar ose ta kisha një fëmijë apo ta adoptoja një. Më lejoni t’ju them: Nëse dikush përpiqet t’ju propozojë Klonopinin, ikni nga dhoma”.
A e di ajo se sa e bukur ishte?
“Natyrisht që mendoja se jam e bukur. E di ti, një herë e shkrova këngën ‘Vajza më e bukur në botë’, po kurrë nuk doli. Niste me vargun: ‘Ishte vajza më e bukur ë botë / por kjo ishte shumë kohë më parë’. Këtë ua them shumë miqve të rinj: Pa marrë parasysh sa i/e bukur je, do të plakesh dhe nuk do të dukesh si i kishe 25 vjet. Kështu që, mësohu me goditjet”.
E pyes cila është kënga më e preferuar e saj.
“Storms”, më thotë.
Aty ajo përshkruan lidhjen me një burrë dhe se si i dorëzohet fatit.
“’Kurrë s’kam qenë në detin e kaltër të qetë/ gjithmonë isha stuhi’. Ishte, më fal për gjuhën, një pirdhu për Mickun”, thotë ajo, duke iu referuar aferës me kolegun e grupit, Mick Fleetwood.
Është këngë e pavarësisë?
“E lirisë”, më thotë. “Jam grua e lirë dhe kështu dua të jem”. /Telegrafi/