Telegrafi

“Stërvitje aspak e lehtë në kursin ‘Komando’”, Peleshi: Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Shqiptare treguan karakter të lartë

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi ka publikuar sot disa fotografi nga stërvitjet ndërmjet Forcave të Armatosura Shqiptare dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Peleshi në një postim në Facebook shkruan se trupat shqiptarë përfunduan stërvitjen 72-orëshe në Feken, ku u sprovuan fizikisht dhe psikikisht dhe se treguan karakter dhe nivel të lartë përgatitjeje në stërvitjen aspak të lehtë të kursit “Komando”.

“Një pjesë e efektivëve më ambiciozë të Forcave të Armatosura treguan karakter dhe nivel të lartë përgatitjeje në stërvitjen aspak të lehtë të Kursit Komando.

Trupat shqiptarë, përfshirë ata nga Forca e Sigurisë së Kosovës sapo përfunduan stërvitjen 72-orëshe në Feken, ku u sprovuan fizikisht dhe psikologjikisht që nga marshimi 42 km me pajime, te situata në fushën e luftimit e deri te sjellja në kushtet e mbijetesës”, shkruan ai. /Telegrafi/