Site icon Telegrafi

Stërvitja “Golden Saber 2023”, KFOR teston forcën e reagimit të shpejtë

Forcat e KFOR-it në Kosovë kanë zhvilluar të premten një stërvitje në kampin e Novosellës. Stërvitja e quajtur “Golden Saber 2023” (Shpata e Artë 2023) ka për qëllim testimin e procedurave për dislokim të shpejtë të forcave për përballimin e çdo skenari të mundshëm krize.

“Mëngjesin e sotëm, brenda kampit të Novosellës, njësitet e KFOR-it zhvilluan stërvitjen “Shpata e Artë 2023”, aktivitet ky që synon testimin e procedurave dhe gatishmërinë për dislokim të shpejtë të forcave për përballimin e çdo skenari të mundshëm krize”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR ka njoftuar se aktiviteti është zhvilluar për të testuar procedurat ndërmjet njësive të ndryshme shumëkombëshe që përbëjnë Forcën e Kosovës, të angazhuara për t’iu përgjigjur skenarëve të ndryshëm të simuluar.

“Në bashkëpunim të ngushtë me njësitë e EULEX-it (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë) janë vendosur ekipet e turmës dhe të kontrollit të trazirave, mjetet për heqjen e postblloqeve dhe mjetet inxhinierike për pastrimin e mjeteve shpërthyese”, thuhet në njoftim.

“Përmes këtij lloj trajnimi, KFOR-i mban nivele të larta të gatishmërisë së njësive të tij duke vlerësuar masat e koordinimit të komandantëve të ndryshëm në nivele të ndryshme dhe duke përmirësuar dhe standardizuar procedurat e komandës dhe kontrollit”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Ndryshe, kontigjenti shumëkombësh i KFOR-it vepron në territorin e Kosovës për të siguruar një mjedis të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Exit mobile version