Stërvitja e sotme e Kosovës u mbajt nën temperatura të larta që të adaptohen me orarin e ndeshjes
Kosova e ka zhvilluar seancën e parafundit stërvitore në prag të ndeshjes kundër Çekisë, që zhvillohet të shtunën, në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 15:00.
E pikërisht në këtë orar Dardanët kanë zbritur në fushën e këtij stadiumi për ta kryer stërvitjen e radhës, me qëllim të ambientimit sa më të mirë me kohën.
Ndonëse temperaturat ishin mjaft të larta futbollistët gjatë kësaj seance punuan me vullnet të madh, teksa morën instruksionet e radhës nga përzgjedhësi Bernard Challandes.
Ai gjatë stërvitjes së sotme i kushtoi vëmendje të posaçme vijës së fundit, duke kërkuar nga futbollistët që të jenë sa më vigjilentë nga harkimet e kundërshtarit, duke e pasur parasysh faktin se çekët kanë lojtarë shtatlartë.
Edhe stërvitjen e sotme e ndoqën një numër i tifozëve, derisa mysafir special ishte ish-futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Enis Alushi, i cili e përcolli stërvitjen e Dardanëve në shoqëri të presidentit të FFK-së, Agim Ademi.
Pas stërvitjes së sotme në konferencë për media u paraqitën Bernard Berisha dhe Florent Hasani.