Ushtarët italianë të KFOR-it kanë përfunduar me sukses një stërvitje intensive me helikopter, e cila përfshinte përdorimin e mjeteve kundër trazirave.
Ky trajnim u zhvillua në kuadër të përgatitjeve të vazhdueshme për të garantuar ndërhyrje të shpejta dhe efektive në rast të ndonjë emergjence apo situate të tensionuar.
Sipas deklaratës së KFOR-it, ushtarët e përfshirë në këtë trajnim patën mundësinë të përmirësojnë teknikat e tyre të zbarkimit nga helikopteri duke mbajtur pajisje të plota për kontrollin e turmës dhe trazirave. Kjo aftësi është thelbësore për garantimin e ndërhyrjeve të shpejta dhe të koordinuara në rast të përshkallëzimit të ndonjë situate të paqëndrueshme në terren.
Gjatë stërvitjes, ushtarët u trajnuan për të vepruar në kushte të ndryshme, duke përfshirë simulime të ndërhyrjeve në zona urbane dhe të hapura, me qëllim forcimin e gatishmërisë për skenarë të ndryshëm operativë. Përdorimi i helikopterëve në këtë trajnim lejon një mobilitet të lartë të forcave dhe aftësi të menjëhershme reagimi ndaj kërcënimeve të mundshme ndaj sigurisë.
KFOR-i theksoi se ky trajnim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të përmbushur mandatin e tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me qëllim sigurimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e rajonit. Forcat paqeruajtëse do të vazhdojnë përgatitjet dhe operacionet e tyre për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë. /Telegrafi/