Telegrafi

Sterling i hapur për t’u larguar nga Man City, dëshiron më shumë kohë loje

Raheem Sterling ka pranuar se është i hapur për një largim nga Manchester City, ndërsa gjithashtu zbuloi se ai do të donte të luante jashtë vendit.

Anglezi ka kaluar gjashtë vitet e fundit të karrierës së tij te City, pasi u transferua nga Liverpooli për 50 milionë funte në verën e vitit 2015.

Sulmuesi i talentuar ka ndihmuar skuadrën e Pep Guardiolës të fitojë tre tituj të Ligës Premier mes një mori trofesh të tjerë vendas, por gradualisht ka rënë nga hierarkia e zgjedhjeve këtë vit, dhe tani po mendon për të ardhmen e tij përpara afatit kalimtar të janarit.

Lexo po ashtu Zbulohen futbollistët më të paguar në Ligën Premier – Ronaldo i pari, Pogba i dhjeti dhe Salah i 20-ti

“Nëse do të kishte opsion për të shkuar diku tjetër për më shumë kohë loje, do të isha i hapur për të. Siç thashë futbolli është gjëja më e rëndësishme për mua”, ka thënë fillimisht Sterling gjatë një interviste për Financial Times Business of Sport.

“Sfidat që i kam vënë vetes që në moshë të re dhe ëndrrat gjithashtu. Si lojtar anglez gjithçka që di është Liga Premier dhe gjithmonë kam menduar, e dini, ndoshta një ditë do të doja të luaja jashtë vendit”.

“Dua ta shoh se si unë do të dilja përballë asaj sfide”, përfundoi sulmuesi anglez. /Telegrafi/