Site icon Telegrafi

Sterlina britanike pëson rënie pas pezullimit të Parlamentit

Sterlina britanike ka pësuar rënie të konsiderueshme në vlerë pas kërkesës së kryeministrit Boris Johnson nga mbretëresha Elizabeta për të pezulluar punimet e parlamentit për një muaj.

Vlera e saj ra për 0.70 për qind në raport me dollarin amerikan dhe euron pasi Johnson përmes një letre dërguar ligjvënësve, njoftoi se ka kërkuar nga mbretëresha të pezullojë punimet e parlamentit në periudhën 9 shtator deri 14 tetor.

Sipas të dhënave, vlera e sterlinës qëndronte kundrejt euros me 1.1 dhe 1.22 kundrejt dollarit, përcjell Telegrafi.

Indeksi FTSE-100 u rrit për 0.34 pikë. Rritja në tregun e aksioneve në Britani të Madhe ndodh për shkak të ndikimit pozitiv të bilancit të kompanive, të ardhurat e të cilave janë në monedhë të huaj, pra nga rënia e sterlinës.

Lexo po ashtu Mbretëresha britanike pezullon Parlamentin

Ndryshe, mbretëresha ka aprovuar planin e Kryeministrit Johnson për të pezulluar Parlamentin dhe deputetët do të kenë një kohë të kufizuar për të miratuar një legjislacion që do të parandalojë një BREXIT pa marrëveshje. Ndërkohë, partitë opozitare vazhdojnë negociatat për të miratuar një legjislacion për ta parandaluar këtë.

Johnson ka deklaruar se do të nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Evropian deri më 31 tetor dhe se edhe pse është i sigurt në negocimin e një marrëveshjeje me Brukselin, ai gjithashtu po bën përgatitjet edhe për një BREXIT pa marrëveshje. Kurse, Parlamenti ka refuzuar në mënyrë të përsëritur marrëveshjen e BREXIT-it të kryeministres së mëparshme Theresa May. /Telegrafi/

Exit mobile version