Site icon Telegrafi

Ster: Nuk besoj se do të bëhet kompromisi për identitetin kombëtar maqedonas, por mund të ketë kompromise tjera

Maqedonia duhet të vendosë se cila është vija e kuqe për arritjen e një kompromisi me Bullgarinë, në cilën pjesë do të dorëzohet dhe çfarë do të kërkojë në këmbim, duke qenë se vendi me të cilin po negocion për hapjen e rrugës evropiane është anëtar i Bashkimi Evropian.

Ky është mesazhi që përcollën sot në vend dy përfaqësueset e Ministrisë së Jashtme gjermane, Sabine Ster, drejtoreshë për Politikë Evropiane dhe Suzane Schutz, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, të cilët mbërritën në Shkup nga Sofja, ku diskutuan për procesin e bllokuar të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Bëhet fjalë për Evropën e shekullit të 21-të. Pavarësisht nëse flisni maqedonisht, bullgarisht, rusisht ose ukrainisht, kjo është një çështje që nuk duhet të jetë diskursi që kemi kur flasim për demokracitë”, tha Schutz.

Ster, ndërkohë, theksoi se qeveria dhe të gjitha forcat pro-evropiane duhet të vendosin se deri ku mund të shkojë kompromisi.

“Nuk besoj se do të bëhet kompromisi për identitetin kombëtar, por mund të ketë kompromise për gjëra të tjera sa i përket hapave të anëtarësimit, sa do të dorëzohet tjetri, sa do të pranojë tjetri”, tha ajo.

Ambasadori francez Cyril Bomgartner tha se ishte në dijeni të numrit të madh të kritikave për ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit për të cilën Parisi kishte këmbëngulur, por se ishte bërë një lëvizje e duhur./Telegrafi/

Exit mobile version