Site icon Telegrafi

Stellantis me investimin më të madh ndonjëherë në Amerikën e Jugut

“Vdekja” e motorit me lëndë djegëse duket se është ekzagjeruar pasi disa nga prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve po shpenzojnë miliarda euro në motorë të rinj me derivate.

Stellantis është kompania e radhës e automjeteve që sinjalizon se nuk ka ndërmend të braktisë prodhimin e veturave me derivate.

Bëhet e ditur se prodhuesi që zotëron 14 marka po shpenzon 6 miliardë dollarë (mbi 5 miliardë euro) në Amerikën e Jugut për prodhimin e motorëve dhe veturave të reja, përcjell Telegrafi.

I cilësuar si investimi më i madh ndonjëherë në sektorin automobilistik të Amerikës së Jugut, shpenzimet do të rezultojnë në prodhimin e mbi 40 veturave dhe motorëve me derivate.

Stellantis gjithashtu po planifikon prodhimin e automjeteve hibride-flex dhe plug-in. Përveç kësaj, do të prodhojë të paktën një veturë plotësisht elektrike në rajon.

Këto investime do të kryhen ndërmjet viteve 2025 dhe 2030.

Për më tepër, të gjitha këto do të jenë në përputhje me linjat ekzistuese të prodhimit në Amerikën e Jugut ku Stellantis zotëron 23.5 për qind të tregut. /Telegrafi/

Exit mobile version