Telegrafi

Stefanovic: Serbia s’ka struktura të organizuara sigurie në Kosovë

Stefanovic në një intervistë për “Evropën e Lirë”, duke folur për takimin e radhës në Bruksel, mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, tha se pret para se gjithash, që të caktohet simetria e ardhshme e autonomisë së serbëve në Kosovë, që do të thotë organizimi i tyre, dhe përgjegjësitë që do të kenë atje.

“Pra, në çfarë mënyrë dhe si do të trajtojnë të dyja palët, praninë e institucioneve serbe në Kosovë, se a do të jenë ato pjesë e të ashquajturit shtet i pavarur i Kosovës, apo si pjesë e Kosovës që është një vend autonom i padefinuar në kuadër të Serbisë. Prandaj, kjo tani ka ende shumë të panjohura për secilin që po përcjellë këto procese, dhe vlerësoj se as opinioni në Prishtinë, e as në Beograd, nuk e dinë mjaftueshëm se për çka ka pajtim dhe cilat janë rezultatet e mundshme”, tha ai.

Lidhur me institucionet e sigurisë në Kosovë që i financon Qeveria e Serbisë, Stefanovic tha “Mendoj se në këtë aspekt, qeveria jonë e ka thënë të vërtetën. Pra, ne nuk kemi kurrfarë struktura të sigurisë në Kosovë, të cilat funksionojnë në atë mënyrë si e paraqet Prishtina. Ka njerëz të cilët, ose ishin të punësuar në MUP dhe tani faktikisht janë të papunë, por ata nuk kanë asnjë lloj formacioni të veprimit, dhe as që ekziston ndonjë zinxhir komandues”.

“Unë e di se në Prishtinë mendojnë ndryshe. Por, fatkeqësisht, ngjarjet fatkeqe në Kosovë e vërtetojnë se struktura të tilla nuk ekzistojnë. Sepse po të ekzistonin ato, supozoj se nuk do të kishte incidente të tilla dhe dhunë. Por sidoqoftë, mendoj se edhe kjo gjë, do të jetë pjesë e zgjidhjes në Bruksel. Natyrisht se ne [Partia Demokratike], mbështesim të gjitha ato lëvizje që çojnë kah zhvillimi pozitiv i ngjarjeve, stabilizimit të mundësive, dhe rregullimit të raporteve me Prishtinën, të cilat qëndrojnë për një kohë të gjatë të ngrira”, u shpreh Stefanovic. /Telegrafi/