Telegrafi

Stavileci: Shpendi s’ka probleme me Shengen, si kryetar i Prishtinës po lëviz me pasaportë të Shqipërisë

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka vazhduar akuzat në drejtim të kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Stavileci në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se pohimet e Shpendit për maltretime për shkak të Shengenit janë gënjeshtër.

Ai shkruan se Shpendi Ahmeti është ndaluar për  verifikim identiteti, ndërsa si kryetar i Prishtinës ka lëvizur me pasaportë të Shqipërisë.

Lexo po ashtu Ahmeti: Më ngatërruan me një emër të ngjashëm në Spanjë

Ky është postimi i plotë i Stavilecit në Facebook:

“Kur do duhej të ishte në krye të detyrës, iku prej punës dhe e la Prishtinën si moçal kundërmues prej shiut. Edhe biletën për në Milano sigurisht me taksa të prishtinasve e ka paguar. Ndërsa, në vend se të ndjehej i vonuar për t’u shërbyer qytetarëve, ai ndjehej i vonuar për ta parë lojën. Mbase i ka kompleksuar edhe policinë italiane dhe nuk i kanë besuar se është Kryetar i Prishtinës, kur ia kanë bërë “searching” dhe e kanë parë se Prishtinën e ka përmbytur shiu në po të njëjtën ditë!

Pra, menjëherë e kanë vërejtur papërgjegjësinë e tij dhe një i papërgjegjshëm edhe mashtron e gënjen.

Kur u raportua se ishte arrestuar, nisi menjëherë me metodologjinë perfide të Jahtit: Jo, nuk kam qenë/Jo, kam qenë! – duke përmendur këtë radhë “Maltretime të Shengenit”, një gënjeshtër tjetër e kulluar kjo, sepse, sipas asaj që vetë po e thotë, ai nuk është ndalur për verifikim vize, por për verifikim identiteti për shkak të ndonjë “red note” të Interpolit. Plus ky paska lëvizur edhe me pasaportë të Shqipërisë. Pra, as 10 orë nuk i zgjati gënjeshtra!

“Maltretimet e Shengenit”, të cilat këta i përdorin për t’i kamufluar gënjeshtrat e tyre, nuk do ekzistonin fare nëse do e votonin demarkacionin me Malin e Zi.

Shpend Ahmeti në spanjisht po më thonë qenka Pajaro Lobo, me kuptim: Zog Ujku!

Zog po, por ky i joni vetëm harabel dhe i vonuar!”(sic). /Telegrafi/